Fillimi i punimeve u përurua në vitin 2015 nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe ish-presidenti Bujar Nishani, dhe tani Namazxhaja, xhamia më e madhe në Ballkan, qendron hijerëndë përballë parlamentit, i cili ngjan edhe më i vogël pranë saj. Ashtu si shumë nga xhamitë e ndërtuara së fundmi, edhe ajo është dhuratë nga Presidenti Erdogan.
Xhamia që kushtoi rreth 30 milionë euro ka hapësirë të mjaftueshme për 5,000 persona, të cilët do të kënë mundësi të luten në një sipërfaqe prej 20,000 metrash katrorë. Deri tani, besimtarët myslimanë kanë qenë duke u lutur jashtë dyerve të xhamive, për shkak të hapësirave të vogla, ndërkohë që gjatë festave fetare, luten në sheshin kryesor të Tiranës.
“Kjo xhami do të ndërtohet me kontributin dhe ndihmën e popullit turk. Afërsia e kësaj xhamie me kishën dhe me një muze që do të ndërtohet përveç saj, tregon diversitetin dhe harmoninë që ekziston në Shqipëri “, tha Erdogan gjatë përurimit. Pas këtij inaugurimi, një sërë xhamish të tjera kanë “mbirë si kërpudhat pas shiut” në Shqipëri, edhe pse donatorët nuk kanë zgjedhur gjithnjë të ekspozohen. Në vendin tonë ka më shumë se 850 xhami, një pjesë e të cilave janë ndërtuar gjatë dy viteve të fundit, kryesisht nga fondacione që lidhen me Ankaranë. Përtej vendin tonë, Turqia është duke ndërtuar edhe 17 xhami të mëdha anembanë globit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusi, Kirgistan, Filipinet, Mbretërinë e Bashkuar, në territoret palestinase dhe në Somali. Një pjesë e mirë e ekspertëve ndërkombëtare e shohin përpjekjen e Erdogan si një strategji për ta pozicionuar veten si udhëheqës i botës myslimane, një mantel që Turqia e mbajti gjatë Perandorisë Osmane, nga fundi i shekullit të 13-të deri në fillim të shekullit të 20-të.
“Erdogan kujdeset shumë për trashëgiminë historike “, tha Asli Aydintasbas, një opinionist i gazetës turke Milliyet- Ai dëshiron të ndërtojë një Turqi që mbron interesat e islamit dhe myslimanëve anembanë botës, prandaj edhe kujdeset për ndërtimin e xhamive në vendet e tjera “.
Pas rënies së komunizmit, Turqia u pozicionua si faktor i rëndësishëm në formësimin e tranzicionin të Shqipërisë nga një regjim totalitar në demokraci. Qëllimi i politikës së jashtme të Turqisë ndaj vendit tonë dhe Ballkanit, përveç sigurimit të stabilitetit dhe sigurisë, ishte edhe krijimi dhe forcimi i lidhjeve ekonomike dhe kulturore. Duke u mbështetur në retorikën e “kulturës së përbashkët me Ballkanin”, Erdogan, ka rritur dukshëm ndikimin e tij në rajon, veçanërisht në vendet me shumicë myslimane, duke ushqyer kështu edhe ndjenjat myslimane të shqiptarëve, dikur të zhveshur nga identiteti fetar për shkak të komunizmit.
Turqia krijoi Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), me qëllim asistimin e vendeve të reja të Azizë Qendrore në fushat e industrisë, bujqësisë, infrastrukturës, financave, kujdesit shëndetësor dhe arsimit. TIKA hapi zyra në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, duke ofruar ndihmë gjatë periudhës së trazuar të tranzicionit dhe duke mundësuar krijimin e lidhjeve midis popujve ballkanik dhe Turqisë, si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore që daton nga Perandoria Osmane. Sipas statistikave, TIKA, ka përfunduar tanimë në Shqipëri, plot 248 projekte.
Si një vend ku ishin ndaluar të gjitha besimet fetare për pothuajse gjysmë shekulli, Shqipëria, u perceptua si një “tokë pjellore” për një sërë organizatash fetare nga gadishulli arab dhe Afrika Veriore. Përpjekja për rivendosjen e bazave fetare u intensifikua pas pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, në vitin 1992. Presidenca turke e punëve fetare (Diyanet) filloi të angazhohej me shumë komunitete myslimane në Ballkan gjatë viteve 1990, duke ofruar arsimimin fetar si dhe ndërtimin dhe rinovimin e xhamive, duke kundërshtuar kështu ndikimin në rritje të arabëve dhe duke marrë rolin e “udhëheqësit” të komuniteteve myslimane si në Shqipëri dhe në rajon. Në vlerësimin e saj, Diyanet, ka ndihmuar në ndërtimin e mbi 100 xhamive dhe shkollave në 25 vende. “Të gjitha paratë vijnë nga donacione private”, – këmbëngul Mazhar Bilgin, një zyrtar i lartë i Diyanet.
Xhamitë si “armë” e qeverisë turke
Përveç përfshirjes së vazhdueshme ekonomike të Turqisë në Shqipëri dhe rritjes së interesit strategjik ndaj Tiranës zyrtare, një nga projektet e fundit të Erdogan është ndërtimi i një aeroporti në qytetin e Vlorës. Në një shkrim të publikuar pak pas inaugurimit të xhamisë në qendër të Tiranës, prestigjozja “The Economist” publikoi një artikull ku ngrinte dyshime se Rexhep Tajip Erdogan ishte duke u përpjekur të ringjallte trashëgimisë së Perandorisë Otomane. “Por shumica e shqiptarëve janë të këndshëm. Ndërsa qeveritë post-komuniste lejuan katolikët dhe të krishterët ortodoksë të ndërtojnë katedralet në Tiranë, myslimanët u lanë jashtë në të ftohtë- shkruante “The Economist”- Besimtarët e kanë gjetur rregullisht veten duke u lutur jashtë, duke u dridhur jashtë një xhamie të vogël të shekullit të 19-të qytetit. Nuk është e qartë pse qeveria e Shqipërisë ka pritur deri në vitin 2013 për të miratuar një të re.”
Roli i Turqisë në islamin shqiptar shkon përtej ndërtimit të xhamive. Gjashtë nga shtatë seminaret islamike të vendit menaxhohen nga fondacione të lidhura me komunitetin Gylen. Në terrenin fetar të Turqisë ka një konflikt të brendshëm. Partia e Zhvillimit (AK) që dikur ka punuar krah për krah me lëvizjen Gylen është prishur. E gjithë kjo ndryshoi dy vjet më parë, kur AK nisi një hakmarrje kundër lëvizjes, duke e akuzuar se kishte orkestruar grushtin e shtetit kundër Presidentit Erdogan.
Nga ana tjetër, një sërë intelektualësh shqiptarë kanë qenë të shqetësuar se ndikimi i Turqisë në rajon mund të jetë një element i ambicjeve gjithnjë e më të mëdha politike dhe ekonomike të Ankarasë në Ballkan, të cilat mund të dëmtojnë aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Nga ana tjetër, identifikimi i fortë i një feje të caktuar mund të prishë ekuilibrin delikat të bashkëjetesës fetare në vendin tonë. Shembulli më i mirë ishte festimi i Kurban Bajramit gjatë vitit të kaluar në Sheshin Skenderbej, në Tiranë, gjatë së cilit monumenti i heroit kombëtar shqiptar u rrethua nga ekranet gjigante të vendosura nga Bashkësia Islame Shqiptare, duke mbuluar kështu monumentin e një njeriu që, sipas disa myslimanëve, simbolizon jo vetëm luftën kundër osmanëve, por edhe luftën kundër islamit.
Burimet: “European Western Balkans”, “The Economist”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.