Nga Gazeta “SI”– Xhamia e Ballies në Elbasan, e ndërtuar në vitin 1608 dhe më vonë e shembur nga regjimi komunist, është rikonstruktuar kohët e fundit dhe tashmë ka marrë vlerësimin më të lartë në një skenë ndërkombëtare: çmimin e parë për “Arkitekturën më të bukur fetare në botë” në konkursin prestigjioz “Building of the Year 2025”, organizuar nga platforma më e madhe globale e arkitekturës “ArchDaily”.
Ky vlerësim ka zgjuar një interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Interesi ka kapërcyer edhe kufijtë rajonalë.
“Kemi pasur vizitorë nga Gjermania, nga vende të ndryshme të Evropës, madje edhe nga Lindja e Largët,” thotë për mediat Agim Duka, Myftiu i Elbasanit.

Xhamia e Ballies është objekti i vetëm i kultit në Evropë që u rendit mes pesë ndërtesave më të bukura në botë në kategorinë e saj. Projekti i rikonstruksionit ka sjellë një ndërthurje të harmonishme mes arkitekturës moderne dhe elementëve tradicionalë islamë, duke e kthyer këtë monument jo vetëm në një vend adhurimi, por edhe në një vepër arti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.