Pasi në disa zona të vendit janë regjistruar vatra zjarresh të pazakonta për stinën dhe kur Forcat e Armatosura janë angazhuar në fikjen e tyre, vjen edhe deklarata e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Në një dalje për mediat, ministrja Xhaçka informon se të paktën 243 vatra zjarri janë përhapur në gjithë territorin e vendit, ndërsa dyshohet se shumë prej tyre janë ndezur qëllimisht.
“Është një situatë shqetësuese sepse dëmi i shkaktuar është i madh. Janë djegur deri tani mbi 245 hektarë pyje e kullota, ndërkohë që në shumë raste zjarret ende nuk është arritur të vihen nën kontroll. Ajo që e bën këtë situatë edhe më të pashpjegueshme është fakti që këto zjarre janë akte kriminale, pra ato janë ndezur qëllimisht dhe në pjesën dërrmuese të rasteve pa asnjë arsye përfitimi prapa”, thotë ministrja.
Ministrja Xhaçka i drejtohet me një apel klasës politike dhe ftoi të gjithë politikanët të denoncojnë këtë fushatë që shkon në dëm të vendit.
“Në këtë situatë, kur akte të tilla jo vetëm që po shkatërrojnë pronën e përbashkët, por edhe synojnë të krijojnë një situatë alarmi e shqetësimi tek qytetarët, ju bëj thirrje të gjithë forcave politike, të gjithë politikanëve, që të na bashkohen për të denoncuar dhe për të luftuar këtë fushatë që nuk shkon në dëm të qeverisë, por në dëm të vendit.
Personalisht jam ndier e keqardhur dhe e revoltuar kur kam dëgjuar ndonjë syresh që është rrekur të krijojë ndonjë alibi për këtë situatë”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



