Politike

Xhaçka takon Dendias në Athinë, a u avancua për ta çuar në Hagë marrëveshjen e detit?  

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi të premten në mëngjes një vizitë zyrtare në Greqi, me ftesë të homologut Nikos Dendias.

Bisedimet dypalëshe u zhvilluan rreth orës 08:00, ndërsa dy ministrat e Jashtëm patën edhe një takim kokë më kokë.

Ministria e Jashtme tha se bisedimet fokusohen në marrëdhëniet shqiptaro-greke në të gjitha fushat, si dhe në çështjet me interes në Europë dhe rajon, duke përfshirë zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit rus, situatën në Mesdheun Lindor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Siç e ka bërë zakon, Xhaçka edhe kësaj here përcolli një njoftim të thatë dhe protokollar pas takimit, pa përmendur atë që ka më shumë rëndësi, marrëveshja me detin, në një kohë kur mediat greke ziejnë  

“Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri-Greqi. Mirënjohje ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit”, shkroi Xhaçka në Twitter.

“Unë mirëprita homologen shqiptare Olta Xhaçka në Ministrinë e Punëve të Jashtme për bisedime të zgjeruara. Në agjendë: forcimi i marrëdhënieve Greqi-Shqipëri, perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm grek pas takimit.

As Dendias dhe as Xhaçka nuk e përmendin çështjen e Detit në mesazhet që kanë shkruar në rrjetet sociale, por për këtë temë delikate mes dy vendeve njoftojnë mediat në Athinë.

Sipas tyre, dy ministrat e jashtëm do të shqyrtojë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje që do t'i referojë përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Më 20 tetor 2020 Shqipëria dhe Greqia morën vendimin për ta dërguar në Hagë, paktin për Detin. Ku kanë kaluar 2 vjet, kjo ende nuk ka ndodhur. Asnjë takim në nivel teknik nuk ka ndodhur për të çuar më tej marrëveshjen.

Të premten pasdite ministrja Xhaçka do të udhëtojë drejt Italisë për të qenë pjesë e Dialogut të Dytë Mesdhetar për krizën ushqimore, e ftuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë