Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një kohë që vijojnë lëkundjet, u ka bërë bërë thirrje qytetarëve që kanë godinat e dëmtuara që të mos kthehen në shtëpitë e tyre, pasi rreziku ende nuk ka kaluar.
Ajo thotë se ekipet e ekspertëve janë në terren 24 orë për të bërë verifikimet.
“Ende nuk ka kaluar faza e rrezikut. Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua te përsëris thirrjen per qytetaret; Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja nëqoftëse ato kanë dëmtime të tilla. Edhe nëse nuk jeni të sigurtë, është më mirë për ju, për familjet tuaja që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve te cilat jane organizuar tanimë dhe do te jene ne terren 24 orë në ditët në vijim”, thotë ministrja Xhaçka.
Xhaçka po ashtu u bën thirrje autoriteteve vendore që të përshpejtojnë procesin e verifikimit.
“Ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara”, thotë ndër të tjera ministrja.
Ministrja Xhaçka deklaron se edhe pse procesi ka nisur vetëm, do të kryhet në një kohë shumë të shpejtë.
“E di që ky proces ka nisur vetëm sot. Prandaj kjo e imja nuk është një kritikë, por një paralajmërim që të investohen tek ky proces me gjithë seriozitetin që meriton kjo situatë dhe meritojnë qytetarët shqiptarë. Sigurisht per te gjitha ato mungesa ne kapacitete profesionale qe bashkitë mund te kenë, do te asistohen nga profesioniste te institutit te ndërtimit apo shoqatës se ndërtuesve per ta kryer procesin e verifikimit ne kohe sa me te shpejte”, përfundon Xhaçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




