Menaxhim

Wizz Air ulet në Kukës, Rama njofton heqjen e taksës së kufirit

Gazeta Si – Qeveria po mendon heqjen e taksës së kufirit nga aplikimi i saj në aeroporte. Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së nisjes së fluturimeve të kompanisë “low cost” Wizz Air nga Aeroporti i Kukësit.

Niveli i kësaj takse është prej 10 eurosh për pasagjerë dhe kostoja e kësaj takse reflektohet në çmimet e biletave. Sipas Ramës, heqja e kësaj takse do të ulë edhe më tej kostot e udhëtimeve përmes rrugës ajrore për qytetarët shqiptarë.

“Heqja e taksës së kufirit nga aeroportet do të ketë një tjetër ulje të çmimeve për qytetarët dhe një tjetër hov në aspektin e konkurrueshmërisë”, deklaroi ai.

Rama solli koncesionin e ri të Aeroportit të Rinasit si histori suksesi, ndërsa tha se sipas përllogaritjeve ulja e çmimeve nga koncesionari shqiptar u ka kursyer shqiptarëve të paktën 120 mln euro.

“Shqiptarëve u janë kursyer 120 mln euro dhe llogaria që ne bëjmë në total është dyfishi i kësaj shifre dhe vetë në bileta”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se pista e Rinasit do të zgjerohet sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë koncesionare, për ta kthyer atë në një aeroport për fluturimet e largëta dhe destinacione si SHBA.

“Do të vazhdojmë investimet dhe në Aeroportin e Tiranës do të jenë masive. Do të investohet për pistën, për hapjen e fluturimeve transoqeanike, do të investohet për terminalin e ri për të përballuar fluksin e rritur. Po investojmë në Vlorë dhe do të fillojmë të investojmë edhe në Sarandë”, u shpreh ai.

Kryeministri u shpreh i bindur se aeroporti i Kukësit do të jetë një histori suksesi dhe do t’u shërbejë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Jam i sigurt që ky aeroport ka një të ardhme fantastike, e gjithë zona ka një të ardhme fantastike falë këtij aeroporti. Jemi për një mundësi të re për të gjithë banorët këtu, të Kukësit dhe pjesën e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut duke u hapur katër destinacione në tre vende, Austri, Gjermani dhe në Zvicër”, deklaroi Rama.

Fluturimet e Wizz Air nga Kukësi do të jenë fillimisht dy herë në javë me katër destinacione dhe do të fillojnë operimin prej muajit maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë