Mendim

“Washington Times”: Diplomatët e SHBA në Tiranë, komplote kundër Trump

“Diplomatë që vazhdojnë të veprojnë nën hijen e Donald Lu dhe George Soros, përfaqësues që janë kundër presidentit Donald Trump dhe bëjnë një sy qorr ndaj të gjitha aktiviteteve të paligjshme të qeverisë”. Kështu e përshkruan gazeta e njohur amerikane “Washington Times” situatën në Ambasadën amerikane në Shqipëri, duke paralajmëruar se Departamenti  Amerikan i Shtetit duhet të “vërë dorë” një orë e më parë. Gazeta, e njohur për qëndrimet pro-Trump dhe rivalja më e madhe politike e “Washington Post”, ngre alarmin se diplomatët amerikanë në vendin tonë po komplotojnë kundër Presidentit Trump, ndërkohë që e konsideron Shqipërinë si një ndër vendet më pro-amerikane në botë.

Media e njohur shkruan se ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, u bë mjaft i njohur për zbatimin e një agjende që binte në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar, duke mbështetur qeverinë socialiste dhe politikat e majta të George Soros.

Mandati i zotit Lu përfundoi kohët gati një muaj më parë dhe ish-ambasadori është caktuar tanimë në shtëpinë e tij të rë në e Kirgistan, ku e presin një sërë sfidash të vështira.

George Soros (Fotoja e përdorur nga Washington Times për artikullin mbi diplomatët në Shqipëri.)

Por sipas “Washington Times”, diplomatët e majtë, të cilët i konsideron si të “emëruarit e Obamës” në Departamentin e Shtetit janë akoma aktivë në Shqipëri, duke komplotuar kundër Presidentit amerikan. Gazeta shkruan se përveç detyrave diplomatike, përfaqësuesit amerikanë kryejnë edhe detyra të tjera politike dhe administrative. Lejla Moses, drejtuesja e përkohshme e Ambasadës Amerikane në Tiranë deri në mbërritjen e ambasadores së re, sipas gazetës amerikane, ka publikuar një sërë postimesh duke vënë në dukje “agjendën djallëzore” kundër Presidentit amerikan. Ajo ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar në Twitter një intervistë të ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili sulmonte ashpër Donald Trump, duke e quajtur gënjeshtar dhe të korruptuar.

“A mund të imagjinoni kreun e ambasadës amerikane në një vend të huaj që përçmon në mënyrë aktive presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe agjendën e tij? - pyet gazeta - Ja që ndodh në Shqipëri. Po për faktin që të gjithë politikanët shqiptarë i kanë parë këto postime". "Si mendoni se do t’i trajtojnë ata njoftimet e politikës së jashtme nga Shtëpia e Bardhë kur e dinë se Ambasada Amerikane nuk do t'i zbatojë kurrë ato dhe madje do të nënvleftësojë çdo iniciativë të ardhshme të Presidentit Trump në këtë cep të botës?”, shkruan më të “Washington Times” . Gazeta amerikane thekson ndër të tjera se si një anëtare e aleancës së NATO-s, Shqipëria po bëhet një vend gjithnjë e më i rëndësishëm strategjik, në një kohë që roli i Turqisë si një aleat i SHBA-së po vihet në dyshim.

“Qeveria e tanishme është zhytur në tregtinë e drogës dhe e lidhur me grupet kriminale, ndërkohë që majta në Amerikë vazhdon të mbështesë kreun shqiptar dhe ‘bën një sy qorr’ ndaj aktiviteteve të paligjshme të qeverisë. Punonjësit jobesnikë në Ambasadën Amerikane në Tiranë janë një problem i madh”, shkruan gazeta.

Kryeministri Edi Rama dhe Donald Lu 

“Washington Times” thekson gjithashtu se sipas burimeve të reporterëve amerikanë, ish-ambasadori Lu vazhdon të vijë rrotull Shqipërisë, duke vendosur të mos kthehet në Shtetet e Bashkuara, edhe pse detyrat e tij zyrtare në Tiranë kanë mbaruar. Burimet për gazetën shprehen se Lu po “merret me përgatitjen" e stafit të ri të ambasadës, duke u dhënë udhëzime që të “flasin mirë” për Kryeministrin socialist Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë në një përpjekje për të çimentuar politikat dhe ndikimin e Barak Obamës.

“Qëllimi i tij është ta paraqesë kryeministrin socialist si një lider të madh dhe ta paraqesë reformën e drejtësisë, e shtyrë përpara nga zoti Lu, si një sukses të madh, duke shpërfillur efektet reale të procedurës që e ka lënë kombin pa gjykata dhe ka fuqizuar krimin e organizuar. Miqtë e Obamës janë të aftë të bëjnë gjithçka për pushtet. Ata nuk kanë turp” , shkruan “Washington Times”.

Në mesin e këtyre raporteve, Presidenti Trump emëroi Kathleen Kavalec si ambasadoren e në Shqipëri. Por sikur të mos mjaftonin kontradiktat që la pas mandati i Lusë, edhe ajo është përfshirë kohët e fundit në një hetim, si një nga punonjësit e Departamentit të Shtetit, që ka komunikuar me Christopher Steele, zyrtarin që krijoi dosjen për rrëzimin e Presidentit Trump. Megjithatë, gazeta amerikane shkruan se Trump mund ta ketë kapur në kohë lojën e saj, pasi seanca për konfirmimin e saj në senat  si Ambasadorja e re Amerikane në Shqipëri, është shtyrë papritmas dhe deri më tani nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare.

Kush mund ta zëvendësojë Donald Lu?

Rreth një muaj më parë Trump ka përzgjedhur Kathleen Ann Kavalec ai Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, por duket se ajo nuk ka marrë ende konfirmimin nga Senati, për t’u zhvendosur në Tiranë.

Ambasada Amerikane në Tiranë

Kavalec aktualisht shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Ajo ka më shumë se tre dekada përvojë në diplomacinë amerikane dhe ka shërbyer më parë si drejtoreshë e Zyrës së Punëve Ruse, zëvendës shefe e misionit të SHBA-ve në UNESCO-s në Paris, zëvendës koordinatore në Byronë Evropiane dhe drejtoreshë për parandalimin e konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtimin dhe Stabilizim.

Nxënëse e shkëlqyer në të dyja universitetet që ka ndjekur, Kavalec flet rrjedhshëm gjuhën frënge, rumune, ukrainase, spanjolle portugeze dhe ruse. Kjo e fundit duket se ka ardhur si nevojë e punës, pasi diplomatja amerikane ka punuar vazhdimisht me përfaqësuesit rusë në Europë dhe SHBA. Si zyrtare e lartë në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Kavalec ka ngritur disa herë alarmin mbi ndërhyrjen e Rusisë në Europë, veçanërisht në Ballkan. Ajo u bë një zë i njohur në SHBA, pas ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane, duke theksuar në atë kohë se Shtetet e Bashkuara ishin ende të hapura për një dialog me Rusinë, por se marrëdhënieve dypalëshe midis Moskës dhe Uashingtonit ishin përkeqësuar ndjeshëm.

Më 9 shkurt të këtij viti, zyrtarja e lartë amerikane duket se mori përgjegjësinë kryesore për marrëdhëniet SHBA-Rusi, duke vizituar Këshillin rus të Çështjeve Ndërkombëtare. Gjatë takimit Kavalec diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, zgjidhjen e krizës në Ukrainë, perspektivat për eliminimin e armëve bërthamore në gadishullin Korean dhe mundësinë e ndryshimit të sanksioneve amerikane kundër Rusisë.

Kathleen Ann Kavalec

“Unë u takova me zyrtarët në Ministrinë e Jashtme ruse, biseduam për çështjet dypalëshe, diskutuam nevojën për të stabilizuar marrëdhëniet tona … Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për të përmirësimin e këtyre marrëdhënieve,” deklaroi Kavalec gjatë vizitës.

Gazeta amerikane shkruan se vendimi  i Trump për nominimin e Kavalec, vjen pas shtyrjes së hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe pas një sërë alarmesh të vazhdueshme nga ana e ekspertëve për ndërhyrjen e Rusisë dhe Kinës në rajon. "Më shumë se një diplomate karriere, duket se shefi i Shtëpisë së Bardhë ka zgjedhur një përfaqësuese që mund të t’i vërë fre ndërhyrjeve të Moskës dhe Pekinit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Ballkanin.

Sipas saj, zvarritja e konflikteve politike mbi problemet etno-fetare mes kombeve ballkanike, kërcënon vazhdimisht të çojë në kriza të mëdha kombëtare dhe rajonale, duke e bërë rajonin shënjestër kryesore për ndërhyrjen nga fuqitë e huaja. Kombinimi i qeverisjes së dobët, stagnacionit ekonomik dhe institucioneve të dobëta demokratike ka bërë Shqipëria dhe i gjithë rajoni të mbesë shumë prapa fqinjëve të tyre europianë. "Të gjithë këto probleme, e vënë rajonin në shënjestër të organizatave terroriste dhe ndërhyrjes së fuqive të huaja, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë", shkruan gazeta amerikane.

"Për t’i bërë gjërat edhe më keq, rajoni duket se është lënë në harresë edhe nga demokracitë që ishin dikur të rëndësishme për Ballkanin. Duke besuar se e ardhmja demokratike e Ballkanit ishte anëtarësimi në BE, Shtetet e Bashkuara ia dorëzuan Brukselit përgjegjësinë për zhvillimin politik, institucional dhe ekonomik të rajonit. Megjithatë, inercia politike brenda Bashkimit Evropian, e la Shqipërinë dhe rajonin duke pritur në “derën e shtëpisë”, përfundon "Washington Times".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë