Dëbora e parë për këtë vit e la pa gjumë, mezi priste të pastronte rrugët e lagjes ku banon në Tiranë sepse e di “që bashkia nuk bën gjë”
Ai është një pensionist me origjinë nga Vlora. Thotë se Vlorën nuk e njeh, por është rritur në Konispol të Sarandës.
Tek dëbora e parë për këtë vit në kryeqytet ka lënë gjurmët e saj të dukshme gjithandej e mbi të gjitha në shpirtrat e lodhur të shqiptarëve që prej gati një viti mbajnë mbi shpinë ethet e pandemisë, me të përballem mbi urën e Qendrës Kristal, në Unazën e Re.
Me një maskë të bardhë, të shpisshur, që I mbulonte hundë e gojën, me një lopatë dhe fshesë, gërryente e pastronte borën mbi urë, në të cilën kalonin qytetarë që rrezikonin të rrëshqisnin.
“Sapo ngrita një grua shtatëzanë. Më lind sëbrendshmi të ndihmoj. E kam në gjak”- thotë Dilaver Maza.
Aty mësoj se është vullnetar.
Ai më rrëfen se ka qenë emigrant në Firenze, në rajonin e Toskanës, Itali.
Mandej për katër vite ka bërë vullnetari atje me leje nga bashkia, I fokusuar në pastrim dhe veçanrisht në stinën e dimrit në pastrimin e dëborës.
“Vuaja kur shihja imazhin e deformuar të shqiptarëve tek italianët. Vendosa të bëja vullnetarin për të ndryshuar mendimin tek komuniteti ku jetoja. Në popull, pastaj në bashki, ku edhe më kanë dhënë çertifikatë”- thotë Maza.
Ka mbërritur prej dy vitesh në Shqipëri dhe jeton me pensionin e tij prej 10 mijë lekësh dhe të bashkëshortes prej 20 mijë lekësh. Qiranë e shtëpisë ia paguan dhëndëri.
Ai thotë se nuk e pëlqen kapitalizmin, veçanërisht prej mungesës së vlerave dhe shthurjes së moralit, sipas tij.
“Më kanë ofruar punë, por nuk më pëlqejnë kolektivët. Më duken të shthurrur, fajin e ka kapitalizmi. Çfarë bëjnë në shtëpi, I hedhin në internet. Pastaj qeshin me mua që nuk I kuptoj” – më tregon Maza tek hedh sytë herë pas here nga lopata dhe fshesa që I ka mbështetur në anë të urës.
Vullnetarizmin në Tiranë e ka nisur duke pastruar lagje Fresku “ shkurret kishin 6 vite që nuk pastroheshin. Pastaj tek 15- katshi, të përgërat e qenëve kryesisht. Komuniteti më vlerëson dhe respekton. Më japin shpesh lekë dhe unë blej mjete pune”.
Maza më kërkoi ndjesë dhe iu kthye pastrimit të urës nga bora, punë që e la gjithë natën pa gjumë sepse mendonte se njerëzit që do të kalonin aty, do të rrezikonin…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.