Nga Sorgena Leka – Jonida është një 21-vjeçare nga Tirana që vazhdon Universitetin për Psikologji si dhe punon vullnetare në një OJF. Për të, puna vullnetare është një mënyrë për të “siguruar” një të ardhme.
“Ndërkohë që vazhdoj Universitetin, punoj vullnetare në Organizatë dhe kam besim se kur të kem mbaruar 3-vjeçarin, do të kem bërë kohën e duhur për të filluar punë në organizatë”, thotë Jonida e cila tregon për Gazetasi.al se me organizatën e ka prezantuar daja i saj i cili punonte në një projekt me to.
Jonida thotë se askush nga Organizata nuk i ka thënë se pas disa kohësh do të fillojë punë
atje, por ka dëgjuar se nëse qëndron për disa kohë si vullnetare, gjen punë aty.
“Organizata ku unë jam vullnetare punon me projekte dhe çdo vit punojnë me projekte të ndryshme, kështu nëse vazhdoj vullnetare, mund të jem pjesë e ndonjë projekti por si punonjëse”, thotë ajo.
Donjeta Zeqa, drejtuesja e “Europa Donna Albania” thotë për Gazetasi.al se “kultura e vullnetarizmit në Shqipëri është ende shumë larg krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara të Europës apo dhe më afër nesh, në Ballkan”.
“Ajo çka mua më shqetëson është se të rinjtë e shohin me skepticizëm përfshirjen në organizata apo iniciativa ose e lidhin ngushtësisht me qëllime të caktuara, si për shembull marrjen e një letre rekomandimi, apo thjesht përfshirjen në një aktivitet të caktuar”, thotë Zeqa.
Ajo tregon se vullnetarët e përhershëm që ka pranë organizatës, janë realisht vullnetarë dhe që nuk kanë pritur asnjëherë diçka në këmbim, por kanë qenë aty për të ndihmuar me çfarë kanë mundur. Janë dhe “më besnikët” e organizatës “por të vinë enkas për të punuar si vullnetarë, janë shumë të rrallë”.
Zeqa bën edhe një krahasim me organizatat simotra të Europa Donna-s në shtetet e tjera (apo dhe organizata të ndryshme me tjetër fokus) dhe ka dallim!
“Shqiptarët ndihmojnë shumë dhe sensibilizohen shumë në kauza të ndryshme dhe nuk dua të ngatërrohen këto dy gjëra pasi nuk po them që nuk japin dhe nuk angazhohen për të ndihmuar, por të vijnë e të punojnë si vullnetarë si në vendet e tjera akoma jo! Jo që nuk ka, por janë të paktët që kanë interes”, tregon Zeqa.
Sipas një studimi të Korporatës për Shërbimin Kombëtar dhe Komunitar në Amerikë, vullnetarizmi shoqërohet me një shans 27% më të lartë të punësimit. Punëdhënësit kanë 82% më shumë gjasa të zgjedhin një kandidat me përvojë vullnetare dhe 85% më shumë të ngjarë të anashkalojnë të metat e tyre kur CV e kandidatit përfshin përvojën vullnetare. Studentët që hyjnë në fuqinë punëtore me përvojë vullnetare jo vetëm që pasurojnë CV e tyre, por dallohen në mënyrë efektive mes kandidatëve të tjerë potencialë (dhe të kualifikuar në mënyrë të barabartë).
Gjithashtu kampuset njohin përfitimet e punës vullnetare për studentët si dhe kolegjet dhe universitetet janë gjithmonë në kërkim të gjetjes së mënyrave inovative për të zvogëluar barrierat për të inkurajuar studentët të punojnë vullnetarisht gjatë Universitetit.
Ndërkohë, shumë universitete në Amerikë bëhen partnerë me organizata dhe studentët që zgjedhin të bëjnë vullnetarizëm kanë lehtësime në pagesat e Universitetit si dhe programe të ndryshme ofrojnë bursa në këmbim të vullnetarizmit. Këto programe kombëtare janë të lidhura me organizatat jofitimprurëse në të gjithë vendin.
Ndërsa në Shqipëri të rinjtë drejtohen nga një i njohur apo një shok\shoqe që i ka thënë “shko tek kjo Organizatë sepse me shumë mundësi do të të mbajnë në punë pas pak kohësh”.
Këtë e pohon edhe Migena Kurushi, Themeluese dhe drejtuese e fondacionit “Hyperactivity Albania” e cila thotë për Gazetasi.al se janë të rrallë të rinjtë, 20-23 vjeç, të cilët “vijnë me vullnetin për tu angazhuar në organizatë si vullnetar”. Ata të paktë që angazhohen janë me ide të qarta:
-Për të rritur profesionalitetin.
-Me shpresën se angazhimi i tyre vullnetar nuk do të zgjasë shumë dhe do të punësohen nga qendra, fondacioni ku ata angazhohen.
“Dhe pak po bëjmë 8 vite si organizatë dhe të paktën deri tani askush nuk ka ardhur për të shpenzuar kohën e tyre të lirë me diçka të dobishme për veten dhe të tjerët”, thotë Kurushi.
Ajo tregon se studentët largohen në momentin që e shohin se nuk po përfitojnë diçka dhe janë të paktë ata studentë apo ish-studentë të cilët marrin përsipër angazhimin vullnetar për dobi të të tjerëve dhe jo të vetes.
Rodion Gjoka nga Organizata CoPlan tregon se zakonisht të rinjtë bëjnë intershipe dhe punë vullnetare sidomos gjatë periudhës Korrik-Gusht si një mënyrë për të pasuruar CV e tyre.
“Rrinë 1-2 muaj, përfshihen në një projekt e nëse ju pëlqen tema, e faktorizojnë tek studimet e tyre, ka dhe raste që vijnë si vullnetar për të tentuar një pozicion junior në punë”, thotë Gjoka.
Të rinjtë Shqiptarë, ato pak të rinj që vendosin të bëjnë diçka pa pritur për një rrogë në fund të muajit, e bëjnë këtë të detyruar, sepse presin punësim në shkëmbim të vullnetarizmit të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



