Politike

Vula e PD, Basha e Bardhi kërkojnë zbardhjen e vendimit (pas 2 muajsh)

Lulzim Basha i kërkon Gjykatës së Lartë që të zbardhë vendimin e 27 dhjetorit për vulën e PD, në mënyrë që t’i hapet rruga Gjykatës së Apelit, për të vendosur përfundimisht se kujt grupimi i përket vula dhe logoja.

Kërkesa u dorëzua nga përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa.

“Po mbush praktikisht dy muaj nga vendimmarrja e Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen e Partisë Demokratike. Është 30-të ditë në shkelje të afatit ligjor për zbardhjen e këtij vendimi. Ndaj ne duhet t’i kërkojmë kësaj gjykate, sa më shpejt të bëjë zbardhjen e këtij vendimi dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Apelit. Ne duam që zgjidhja gjyqësore e PD të jetë përfundimtare dhe në një kohë sa më të shpejtë.

Ne flasim në rrugë zyrtare me gjykatën. Kjo është kërkesa e tretë. Dy kërkesat e para janë çuar në 27 janar dhe e dyta në fillim të shkurtit. Kjo është kërkesa e tretë. Do ju premtoj se do bëj edhe kërkesa të tjera javë për javë, deri në zbardhjen e këtij vendimi. Është detyrim që ka gjykata ndaj demokratëve dhe qytetarëve. Duke parë ndjeshmërinë e kësaj vendimmarrje, edhe Gjykata duhet ta ketë në konsideratë në përshpejtimin e procedurave, pasi janë dhe jashtë afatit për zbardhjen e këtij vendimi”, tha Sefa.

Ne foto: Gazment Bardhi

Edhe Gazment Bardhi në anën tjetër ka kërkuar zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Në fund të protestës së 20 shkurtit, nga selia Bardhi i bëri thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin.

“Ka dyshim më kush se ku është PD, kush i gëzon simbolet e PD? Dhe gjej rastin t’i bëj thirrje së pari Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin dhe të mos zvarrisë më tej çështjen dhe gjykatës së Apelit që të japë vendimin për vulën e PD” tha Bardhi për mediat.

Në fund të muajit dhjetor, Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në Apel çështjen për vulën e PD. Gjykata detyron Apelin që me një trupë të re gjykuese, të marrë vet ajo vendimin se kujt i takon vula e partisë.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë