Nga Gazeta ‘Si’-Serbia do të hetojë ngjarjet që çuan në përleshjen e armatosur në manastirin e fshatit Banjskë të Zveçanit, për të cilën Prishtina akuzon Beogradin.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dënoi vrasjen e policit të Kosovës dhe tha se do të nisë procedurat në organet e drejtësisë, duke hetuar të dyshuarit, përfshirë Milan Radoiçiç, të cilin Prishtina e akuzon si organizator të sulmit.
Ai u zotua gjithashtu se do të hetohet origjina e armëve të konfiskuara pas ngjarjes, mes të cilave përfshihen granata, zolla, mitralozë, kallashnikovë, autoblinda, dronë, municion, e uniforma ushtarake.
“Milan Radoiçiç do të thirret nga autoritetet kompetente dhe masa do të merren në përputhje me ligjet e republikës së serbisë.Tani i takon prokurorëve të shqyrtojnë rastin. Këta njerëz e konsiderojnë Kosovën vendin e tyre dhe Shqiptarët si pushtues. Dhe kur i pyet: Më fal por çfarë bën policia e Kosovës në veri, mbi bazë të cilit rregull ligjor ndërkombëtar qëndron aty?A skush nuk mund ti përgjigjet kësaj pyetje”, tha Vuçiç.
Ai akuzoi Policinë e Kosovës se qëlloi për vdekje në kokë një prej personave të armatosur, nga një distancë prej një metër, pasi ky i fundit ishte dorëzuar. Vuçiç e cilësoi këtë si një ekzekutim.
“Duhet t’iu informoj se kemi kontroll të plotë mbi dëshmitë dhe rrëfimet e dëshmitarëve që pretendojnë se Bojan Mijailoviç, u qëllua nga një metër distancë; u ekzekutua me plumb në kokë në një mënyrë brutale, pavarësisht se më herët i ishte dorëzuar policisë me plagë të lehta. Prishtina dërgoi vrasës për të ekzekutuar serbët në vend që të veprojë apo mbrojë popullsinë”, tha presidenti serb.
Vuçiç mohoi pretendimet e Kosovës, se Beogradi nxiti dhunën, duke thënë se Serbia nuk përfiton nga një situatë e tillë që minon pozicionin e saj në bisedimet me Prishtinën. Sipas tij, shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë është kryeministri Albin Kurti, që siç pretendon dëshiron të dëbojë serbët nga veriu. Ai tha se refuzimi i Kurtit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka nxitur tensionet që çuan në dhunën në Banjska.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.