Bota

Vuçiç i krijon alibi Putinit duke hequr një paralele në historinë me Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti serb Aleksander Vuçiç hoqi një paralele mes luftës në Ukrainë dhe raporteve Kosovë-Serbi.

Duke u kthyer në histori, ai hodhi akuza ndaj ndërkombëtarëve se ata “rrëmbyen Kosovën nga Serbia”, dhe kjo, sipas tij, krijoi një precedent që kontribuoi në luftën në Ukrainë.

Ndërsa pretendoi se NATO sipas tij, ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme, pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai shtoi se kjo shërben si justifikim për presidentin rus dhe qëllimet e tij ekspansioniste në Ukrainë.

“Kur njerëzit nga BE-ja dhe SHBA-ja i thonë presidentit rus Vladimir Putinit sot se ai shkel integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, Putini ka një përgjigje të thjeshtë: ‘Nuk jam unë ai që e bëra i pari, por ju me Serbinë’”, tha Vuçiç.

Sipas tij është hipokrizi fakti që ndërkombëtarët mbështesin idenë që nuk mund të ndryshohen kufijtë, pasi “janë po ata që e kanë bërë në 1999-n”.

Ai deklaron se serbët pranuan një lloj zgjidhje kompromisi në Rezolutën 1244, por mënyra me të cilën Kosova shpalli pavarësinë mbetet, referuar tij, krejtësisht e paligjshme dhe kriminale.

Burimi: Novosti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë