… Të gjitha kurrë s’mund të thuhen,
në pllakë të varrit për njerinë,
ndaj unë kam lënë që të më shkruhen:
“Jetoi dhe vdiq për Dashurinë!”…
Kjo është një ndër të shumtat poezi të poetit të njohur, Arben Duka.
Edhe pse ai u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të marte në moshën 64-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, prania e tij artistike do të mbetet ngahera me vargjet dhe satirën që ai përcillte mes rreshtave.
Letërsia shqipe humbi një poet shumë të lexuar dhe me një krijimtari të gjatë artistike.
Lajmin e trishtë të ndarjes së tij nga jeta e dha dhënë poeti Aleksandër Çipa.
“Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm”, shkruan Çipa në rrjetet sociale.
Mesazhe të shumta ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit kanë ardhur dhe nga miqtë e tij.
Përpos poezive të shumta që ai ka botuar ndër vite, vitet e fundit ai vinte me poezitë e tij satirë në një të përditshme.
Duka mbetet jo vetëm poeti i satirës politike, por edhe i lirikës dhe dashurisë.
Kush ishte Arben Duka?
Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Ka ndofta biografinë më të pasur letrare dhe artistike në vend. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Është bashkautor në rreth tri mijë këngë të të gjitha zhanreve duke filluar qysh nga viti 1974.
Ka dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristike dhe satirike në shumë të përditshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat E Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qenë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë.
Por, Arben Duka ishte më së shumti një poet lirik. Janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës.
Duka është autor i tekstit të Hymnit të Policisë së Shtetit.
Arben Duka është “Nderi i Qarkut Gjirokastër”, “Nderi i Odries”, “Nderi i Lunxhërisë”, “Nderi i veteranëve të luftës”, “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.