Financa Personale

Vrojtimi / Shqiptarët me njohuri të pakta financiare dhe të pasigurtë për paratë e tyre

Nga Gazeta ‘SI’ - Në një dokument të publikuar nga Banka e Shqipërisë, rezulton se shqiptarët kanë njohuri të kufizuara financiare. Shifrat tregojnë se individët në Shqipëri zotërojnë vetëm 53% të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve të duhura financiare, krahasuar me mesataren globale prej 63%.

Një tjetër pikë e vrojtimit është edhe edukimi e mirëqenia financiare, ku përsëri shqiptarët vlerësohen dobët, 7.7 pikë nga 20 pikë. Ky pikëzim tregon se individët në Shqipëri janë përgjithësisht të pasigurt për financat e tyre. Vlerësimi i mirëqenies financiare të individëve në Shqipëri mbetet i dobët krahasuar edhe me indeksin mesatar global që është 9.5 pikë dhe ai i OECD që është 9.9 pikë.

Shqiptarët shpesh hasin vështirësi në kuptimin e vlerës në kohë të parasë dhe të normës së përbërë të interesit. Vetëm 54% e shqiptarëve njohin të paktën pesë produkte financiare, krahasuar me 83% të individëve në nivel global dhe 86% në vendet e OECD-së.

BSH njofton se tashmë ka hartuar Strategjinë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, me ndihmën e Bankës Botërore.

Guvernatori Gent Sejko herë pas here ka folur për rëndësinë e kësaj nisme, duke e konsideruar si faktor i rëndësishëm që i shërben stabilitetit financiar të vendit. Sipas tij, krizat, veçanërisht pandemitë e luftërat, prekin më shumë dhe më shpejt shtresat e varfra, që janë njëkohësisht edhe shtresat me nivelin më të ulët të edukimit dhe përfshirjes financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë