Nga Gazeta ‘SI’ – Në një dokument të publikuar nga Banka e Shqipërisë, rezulton se shqiptarët kanë njohuri të kufizuara financiare. Shifrat tregojnë se individët në Shqipëri zotërojnë vetëm 53% të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve të duhura financiare, krahasuar me mesataren globale prej 63%.
Një tjetër pikë e vrojtimit është edhe edukimi e mirëqenia financiare, ku përsëri shqiptarët vlerësohen dobët, 7.7 pikë nga 20 pikë. Ky pikëzim tregon se individët në Shqipëri janë përgjithësisht të pasigurt për financat e tyre. Vlerësimi i mirëqenies financiare të individëve në Shqipëri mbetet i dobët krahasuar edhe me indeksin mesatar global që është 9.5 pikë dhe ai i OECD që është 9.9 pikë.
Shqiptarët shpesh hasin vështirësi në kuptimin e vlerës në kohë të parasë dhe të normës së përbërë të interesit. Vetëm 54% e shqiptarëve njohin të paktën pesë produkte financiare, krahasuar me 83% të individëve në nivel global dhe 86% në vendet e OECD-së.
BSH njofton se tashmë ka hartuar Strategjinë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, me ndihmën e Bankës Botërore.
Guvernatori Gent Sejko herë pas here ka folur për rëndësinë e kësaj nisme, duke e konsideruar si faktor i rëndësishëm që i shërben stabilitetit financiar të vendit. Sipas tij, krizat, veçanërisht pandemitë e luftërat, prekin më shumë dhe më shpejt shtresat e varfra, që janë njëkohësisht edhe shtresat me nivelin më të ulët të edukimit dhe përfshirjes financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.