Gazeta Si- Pas 14 vitesh në arrati, autoritetet shqiptare kanë arrestuar Dritan Hoxhën, i cili në vitin 2010 akuzohet se ka kryer një vrasje në bashkëpunim në Greqi.
Ai u arrestua të mërkurën në Tepelenë, ndërsa tashmë do të përballet me drejtësinë për vrasjen e Andon Veshajt.
Sipas dosjes, Dritan Hoxha në bashkëpunim me Besim Besimaj (arrestuar në Greqi), e kanë goditur dhe dhunuar fizikisht Veshajn dhe për shkak të plagëve ai humbi jetën.
Pasi dhunuan Veshajn, dy të dyshuarit, e kanë futur trupin e viktimës në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur atë në një vend tjetër, të pabanuar.
Trupi iu pajetë i Veshajt u gjet nga autoritetet policore greke, më 18 maj të vitit 2010, një ditë pas krimit të rëndë.
Në vitin 2017, ministria e Drejtësisë së Shqipërisë i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën e homologëve të Larisës si dhe dokumentacionin përkatës për ushtrimin e ndjekjes penale në Shqipëri në ngarkim të Hoxhës. Ai ishte shpallur në kërkim për këtë ngjarje, por ia kishte dalë të arratisej.
5 vite më vonë, në 2022-shin, Prokuroria e Gjirokastrës shpalli moskompetencën në lidhje me procedimin penal të nisur në 2017 dhe ia kaloi aktet Prokurorisë së Tiranës.
Më pas Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë më 9 Korrik 2024 vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në mungesë ndaj Hoxhës. Më pas autoritetet e gjetën dhe arrestuan Hoxhën në lagjen “Hoxhaj” të Levanit në Tepelenë.
“Në vlerësim të provave dhe fakteve të grumbulluar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr 1734 akti, datë 09.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, ndaj personit nën hetim Dritan Hoxha, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25 të Kodit Penal. Më datë 10.07.2024, shërbimet policore të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në fazën operacionale, në bashkëpunim dhe me shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe DVP Gjirokastër, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dritan Hoxha, në lagjen “Hoxhaj”, Levan, Tepelenë”, njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




