Gazeta Si – Kostandin Nishku, 59 vjeç, i cili i fshihej drejtësisë prej vitit 1997, u arrestua në Greqi pas 29 vitesh për llogari të drejtësisë shqiptare.
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 9-vjeçari në Gramsh, nipi i një personi i cili i kishte vrarë vëllain.
Sipas njoftimit të policisë, historia tragjike nis më datë 19 mars 1997, kur Nishku, alias Baki Duzha, së bashku me Roland Kotorrin, kanë shkuar të armatosur në shtëpinë e Kujtim Bregut.
Objektivi i tyre ishte Veli Bregu, vëllai i Kujtimit, pasi Veli Bregu në vitin 1993 kishte vrarë vëllain e Nishkut dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ishte arratisur nga burgu.
Veli Bregu nuk ndodhej në banesë dhe aty ishin vetëm Kujtimi, gruaja e tij, djali i mitur dhe vajza 15-vjeçare.
Pasi i ka kërkuar të tregojnë ku ndodhet Veli Bregu dhe nuk ka marrë përgjigje, Nishku ka urdhëruar Roland Kotorrin që të vrasë djalin e mitur dhe pas refuzimit të Kotorrit për shtën me armë, e ka qëlluar me pistoletë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, Nishku është larguar drejt Greqisë, ku dhe ka jetuar me identitetin e rremë, Hariz Vjeri. Identifikimi i tij është kryer bazuar në identitetin e rremë dhe krahasimin fotografik të fotos së autorit të vitit 1997 dhe fotos së pasaportës së marrë në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.
Pas arrestimit, pritet ekstradimi i Nishkut në vendin tonë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.
Për këtë krim, gjykata shqiptare e dënoi Nishkun me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



