Gazeta Si - Gjykata e Apelit ul dënimin për ish-punonjësin e policisë Ludian Zaimi për vrasjen e kolegut të tij, Çaush Saliasi në komisariatin nr. 3 në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur më 23 maj 2022.
Zaimi u dënua nga Apeli me 30 vjet burgim, në një kohë që Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me 35 vite burg për vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Gjykata e Apelit rikualifikoi veprën penale, nga vrasje e punonjësit të policisë, në vrasje me paramendim, duke sjellë në këtë mënyrë edhe uljen e dënimit prej 5 vitesh.
Prokuroria e akuzon Zaimin për veprën penale të “vrasjes me dashje e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”.
Gjatë hetimit, Prokuroria doli në konkluzion se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij, pavarësisht se mbrojta ka pretenduar se ai ka probleme të shëndetit mendor.
Ludjan Zaimi ka pretenduar se kolegu i tij Çaush Saliasi, e fyente dhe bullizonte gjatë gjithë kohës. Ai ka pretenduar se kanë pasur vazhdimisht debate me Saliasin për mënyrën se si ai sillej me të.
Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë në Gjykatën e Apelit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Genti Dokollari, relator dhe anëtarë Irena Brahimi e Fuat Vjerdha, vendosën pranimin e kërkesën së të pandehurit për ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.