Gazeta Si - Seanca e parë në ngarkim punonjësit të policisë Ludian Zaimi, i akuzuar për vrasjen e kolegut te tij Çaush Saliasi në ambientet e komisariatit Nr.3 nuk është zhvilluar.
Shkak i shtyrjes së kësaj seance u bë gjendja shëndetësore e të pandehurit, pasi ai nuk u paraqit. Ndërsa seanca e radhës u caktua më 14 nëntor.
Mbrojtja ka paraqitur edhe argumente, sa i përket trajtimit të klientit të tyre me medikamente, pasi vuante nga çrregullime të shëndetit mendor, gjë e cila është provuar pjesërisht edhe nga ekspertiza që i është bërë Zaimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit 2022 brenda Komisariatit nr.3. në Tiranë, në kohën kur po ndërroheshin turnet.
Prokuroria e akuzon ish-policin për "vrasje të punonjësit të policisë" ndërsa mbrojtja ka pretenduar se vrasja nuk ka ndodhur për shkak të detyrës, por për shkak të marrëdhënieve personale mes dy kolegëve.
25-vjeçari pas disa debateve me kolegun e tij Çaush Saliasi, e qëlloi këtë të fundit me të paktën shtatë plumba. Organi i akuzës ka dorëzuar dosjen dhe në datën 2 nëntor, ndërsa hetimet nga ana e Prokurorisë së Tiranës kanë përfunduar disa javë më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.