Drejtësia

Vrau kolegun në komisariat, prokuroria kërkon 35 vite burg për ish-policin Ludjan Zaimi

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burg për Ludian Zaimin, ish-punonjës i policisë, i cili vrau kolegun e tij Çaush Saliasi brenda Komisariatit nr 3 në Tiranë në 23 maj 2022.

Në dhjetor 2022, Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e Zaimit për gjykim të shkurtuar në procesin ku ai akuzohet.

Togat e zeza pranuan gjykimin e dosjes së prokurorisë, në të cilën citohen dëshmi të kolegëve të viktimës, efektivë të komisariatit ku ndodhi ngjarja, të cilët kanë thënë se autori e ka paramenduar krimin madje ka pasur plan të arratisej pasi të ekzekutonte kolegun.

Gjykata vlerësoi të drejtë kualifikimin e veprës penale nga prokuroria për "vrasje me dashje ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj".

Në dosjen hetimore, thuhet se me vlerë është dëshmia e një prej kolegëve të Zaimit, ku ngrihen dyshime se ai e ka planifikuar më përpara vrasjen.

“Makina e autorit qëndronte e ndezur në derën e komisariatit, e gatshme për t’u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa pak kohë para veprimit të tij, kishte dërguar mesazhe të dyshimta të afërmve të tij”, thuhet në dosjen hetimore.

Prokuroria pretendon më tej, ndryshe nga sa këmbënguli mbrojtja, referuar aktit të sekspertimit psiko-ligjor, se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij.

Vepra penale për të cilën akuzohet ish-polici, ka një marzh dënimi  jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Pak minuta para krimit, mësohet autori i ka shkruar një personi të dënuar një mesazh ku i lë amanet prindërit.

Një tjetër mesazh, Ludjan Zaimi ia nis një shtetasi me iniciale D.C., të cilit i lë amanet personin e afërm me iniciale "D". 

Pas ngjarjes së rëndë, 26-vjeçari Zaimi deklaroi se e qëlloi me 6 plumba kolegun e tij 55-vjeçar, pasi prej kohësh ofendohej e bullizohej prej tij. Në atë kohë ai shprehu pendesë për krimin.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 23 majit 2022 në sallën e mbledhjeve të Komisariatit, ku do bëhej instruktazhi për detyrat që do merrnin në turnin e natës.

Të shtënat të cilat gjetën në befasi edhe policët e tjerë u qëlluan me breshëri, teksa plumbat i morën jetën gjatë rrugës për në spital Çaush Saliasit


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë