Arrestohet Agron Tanushi, i akuzuar për vrasjen e kunatës së tij 34-vjeçare Jetmira Hasani.
31-vjeçari Tanushi është kapur në Lushnje.
“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, përdorjes së metodave speciale të hetimit dhe pamundësisë së fshehjes më gjatë autori i dyshuar i vrasjes ka rënë në prangat e shërbimeve të policisë së Lushnjës dhe të DVP Tiranë, pasi ishte i rrethuar pa asnjë mundësi largimi apo fshehjeje të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se pas kontrolleve të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara, bashkëpunimit me familjarët, bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Lushnje dhe falë metodave proaktive mëngjesin e sotëm u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit, i cili fshihej në një lagje në Lushnje.
31-vjeçari Tanushi si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri ish –kunatën e tij, Jetmira Hasanin, 34 vjeçe.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve.
Vrasja është kryer me 1 armë zjarri pushkë, me bajonetë, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 4 gëzhoja.
Ndër të tjera mësohet se viktima si dhe autori kanë qenë të pajisur me urdhër-mbrojtje, pasi prej kohësh ata ishin përfshirë në konflikte pronësie për banesën pas divorcit të vëllait të tij.
Policia ka marrë në mbrojtje familjen Tanushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.