Drejtësia

Vrasja e Arben Lleshit, burg për të gjithë zinxhirin drejtues të burgut të Peqinit. ‘Shpëton’ vetëm një efektiv

Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për lënien në qeli të Sokol Mjacajt dhe gjithë personave të tjerë të arrestuar pas vrasjes në burgun e Peqinit të të dënuarit me burg përjetë, Arben Lleshi.

Masës "arrest në burg" nuk i ka shpëtuar as drejtori i institucionit Kamber Hoxha, ndërsa ka shpëtuar vetëm një efektiv i burgut, Vilson Shima, i cili është lënë në "detyrim paraqitje" për shkak se ka një fëmijë të mitur.

Pas një seance maratonë, në masa të rrepta sigurie, Gjykata e Elbasanit ka dhënë pasditen e kësaj të marte masat e sigurisë për Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarët e burgut të Peqinit, ku të premten e 15 dhjetorit u vra i dënuari Arben Lleshi.

Masat e miratuara, arrest me burg: Sokol Mjacaj, Kamber Hoxha, Qani Muça, Nikolin Gjonpali, Arben Dulellari, Ilir Balla, Florenc Mile, Fatos Pire, Genci Muça, Klement Haka, Erjon Çilaj, Indrit Dubali.

Zyrtarët e burgut, përfshirë edhe drejtorin e komanduar të këtij institucioni, u arrestuan për shpërdorim pasi brenda burgut ishte futur një pistoletë, arma me të cilën u Mjaçaj vrau Lleshin.

Nga ana tjetër mbrojtja pretendoi gjatë seancës gjyqësore se dosja nuk mund të jetë e përbashkët, pra duhet të ndahen përgjegjësitë në varësi të funksionit që punonjësit kanë pasur në IEVP-në e Peqinit.

Sipas mbrojtjes disa prej tyre nuk kanë asnje lidhje me vendin ku ka ndodhur ngjarja, pasi shërbejnë në sektore të tjera.

Ndër të tjera ata kanë shtuar se drejtori i burgut ka dërguar prej kohësh shkresa për mos funksionimin e sistemit të monitorimit.

“Burgu i Peqinit ishte shndërruar në hotel. Kishte shumë mangesi në funksionim”, kanë deklaruar ata.

Gjakftohtë dhe i rrethuar nga forcat speciale, Mjacaj u filmua nga mediat në pritje të nisjes së seancës në gjykatë.

I riu nga Dukagjini ishte i rrethuar në kafazin e sallës së gjyqt nga anëtarë të forcave speciale, që mbanin maskë në fytyrë.

Që në orët e para të mëngjesit, me dhjetëra forca policie të mbështetura nga FNSH, kanë rrethuar Gjykatën e Elbasanit.

Prokuroria ka kërkuar për Mjacajn ‘arrest me burg’ për këtë vepër penale, ndonëse ai është i dënuar me burg përjetë.

Mjacaj ekzekutoi me armë zjarri Arben LLeshin, të premten e shkuar ambientet e burgut të sigurisë së lartë.

I plagosur mbeti dhe shoku i qelisë së Lleshit, Indrit Shaqja. Teksa është aluduar se vrasja ka të bëjë me një porositje nga jashtë në formë gjakmarrjeje, Mjacaj e ka mohuar para hetuesve, duke mos përmendur asnjë emër tjetër.

I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.

Megjithatë bazuar në këto dyshime policia ka ushtruar kontroll në banesën e të vëllait të tij me qëllim sekuestrimin e ndonjë materiali të vlefshëm për hetimin, por pa sukses. Në pranga kanë përfunduar dhe 12 zyrtarë të burgut të Peqinit, mes tyre dhe drejtori i komanduar Kamber Hoxha.

Të ndaluar janë: Drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha; Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj, ish shefi i policisë së burgut të Peqini; Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B ; Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin; Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B; Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B; Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B; Genci Muça, shërbim në kollonë, godina B; Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B; Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë