Gazeta Si - Darment Keli, i cili dyshohet si autor i vrasjes së 34-vjeçarit Amarlido Hoxhallari në zonën e Astirit, është lënë në burg këtë të martë nga togat e zeza në Gjykatën e Tiranës.
Sipas pamjeve të siguruara nga Gazetasi.al, i riu shihet pas kafazit të xhamit me kokën ulur, teksa në momente të caktuara mbulon fytyrën me duar.
E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Ardi Marishtën, i cili po drejtonte motorin në të cilin ndodhej viktima. Marishta akuzohet për “drejtim mjeti në gjendje të dehur”.
Para grupit hetimor, Keli ka rrëfyer se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës, ai që ka çuar deri në ngjarjen e rëndë.
Sa i përket autorit, 25 vjeçari ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit. Ai ka pretenduar se nuk kishte njohje me viktimën. Keli ka rrëfyer se rreth orës 18:30 kishte parë nga ballkoni Amarildo Hoxhallarin duke i ngacmuar vajzën me të cilën bashkëjetonte prej 3 vitesh.
Pasi është përballur me të, ai pretendon se është fyer rëndë dhe qëlluar me grusht nga Hoxhallari, përpara se të përdorte thikën që kishte marr nga banesa e tij për ta goditur sipas policisë dy herë në gjoks dhe 2 në këmbë.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, ka dëshmuar ai.
Hoxhallari më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një shokun e tij që drejtonte motorin. Por pak metra më pas ka rënë nga motori për shkak të plagëve.
Policia ka arrestuar dhe shokun e tij drejtuesin e motorit për ‘Drejtim mjeti në gjendje të dehur’ pasi nga testi alkoolit ka rezultuat i pirë.
Sipas policisë, i riu u godit 3 herë me thikë, dy në gjoks dhe 2 në këmbë. Amarildo Hoxhallari është një emër i njohur në skedarët e policisë.
Në vitin 2015 ai u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari pasi u akuzuan se ishin porositës dhe financues në atentatin e ndodhur më 5 janar 2015 në rrugën e Kavajës në Tiranë ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit dhe një efektiv.
Nga të shtënat e armës së efektivit Roland Meta mbeti i vrarë atentatori Artur Baze që sipas policisë ishte paguar nga kushërinjtë Hoxhallari.
Ndërkohë, në 2018, Aurel Hoxhallari pagoi shtetasin grek Efthymiou Efthymious për të vrarë Devi Kasmin. Kushëriri i 34-vjeçarit Aurel Hoxhallari u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa Gjykata e Posaçme i konfiskoi pasurinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.