Gazeta Si - Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë "arrest në burg" për Plaurent Dervishajn, i ekstraduar pak ditë më parë nga Dubai.
Kjo masë sigurie ishte dhënë në mungesë ndaj Dervishajt me kërkesë të SPAK, si një nga të akuzuarit për dy ngjarje të vitit 2005, vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt.
Gjatë dëshmisë së tij në sallën e gjyqit, Dervishaj ka pretenduar se sjellja e tij në Shqipëri nuk është as deportim dhe as ekstradim, por rrëmbim.
“Me 6 gusht më kanë ardhur në shtëpi Forcat Speciale të Dubait, më kanë thyer derën me preteksin se të rrezikohej jeta dhe kundrejt teje do të kryhet një atentat”, ka thënë Dervishaj, sipas burimeve nga salla e gjyqit.
Sipas avokatit, klienti i tij është arrestuar në Dubai më 6 gusht dhe i është thënë se i rrezikohet jeta. Ai është mbajtur disa ditë në gjendje arresti dhe më pas është hipur në një aeroplan drejt Rinasit, ku edhe është arrestuar.
Por, ky ka qenë një kurth i ngritur për të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, pasi është vendosur në pranga dhe më pas është dërguar në stacionin e policisë në Dubai e më pas drejt Tiranës.
Në lidhje me ngjarjet e viti 2005, Dervishaj ka mbajtur qëndrim mohues. Një ditëmë parë, GJKKO miratoi një tjetër masë "arrest në burg" për Dervishajn për akuzat e ngritura ndaj tij për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
E njëjta masë u caktua edhe për bashkëpunëtorin e tij Julian Meçaj, edhe ai i ekstraduar nga Dubai, i dyshuar si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoj në nëntor 2019, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.