Ka ndodhur

Vrasje e trefishtë në Memaliaj / Ekzekutohet me breshëri kallashi babai i Andrea Kalemit, në gjendje të rëndë xhaxhai! Vriten klienti e kamarieri

Tre të vrarë dhe një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i një atentati të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut që tronditi qytetin e Memaliajt. Ngjarja është shënuar rreth orës 23:20 në një lokal në lagjen nr.3, para godinës së Bashkisë Memaliaj.

Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit. Të vrarë kanë mbetur kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela. Po ashtu në gjendje të rëndë është edhe Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me të vëllanë Shyqyri Kalemi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Autorët, që dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit. Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të 74-vjeçarit Shyqyri Kalemi, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit. Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti që mbeti vdekur ka qenë brenda në lokal.

Policia dhe grupi hetimor kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat do të ndihmojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, si edhe mund të hedhin dritë në identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. 3 persona janë shoqëruar në polici dhe kanë dhënë dëshmi.

Pistë hetimi është hakmarrja, pasi 74-vjeçari është babai i Andrea (Adriatik) Kalemit. Ky i fundit dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. Andrea Kalemi është kushëri i parë me Alksandër Sadikaj, i cili mbeti i vrarë në një tjetër atentat në zonën e Saukut në qershor të 2022.

I moshuari nuk arriti ti shpëtojë plumbave të kallashnikovit siç ndodhi me dy djemtë e tij që kishin arritur t'i shpëtonin atentateve të mëparshme.

Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë kanë shkuar në Memaliaj për të ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Gjithashtu kanë shkuar dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë