SPAK ka mbyllur hetimet për Talo Çelën dhe grupin e tij të akuzuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës. Përveç Talo Çelës, janë dhe 5 të pandehur të tjerë, Nuredin Dumani, Altin Ndoci, Klevis Alla, Besian Xhixha, Enver Diva.
Ata akuzohen për atentatet ku mbetën të vrarë vëllezërit Haxhia në Durrës dhe vrasja e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias.
Talo Çela, i cili është në arrati dhe me masë “arrest në burg” në mungesë, akuzohet për 5 vepra penale; “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Akuzat e tjera janë “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” ,“Grupi i strukturuar kriminal”,“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Irfan Hazizi.
Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, Prokuroria bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, pasi dy vëllezërit kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.
Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se 1 km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtin mekanizëm mafioz.
Akuzat ndaj anëtarëve të tjerë të grupit
Personi i dytë i akuzuar është Nuredin Dumani, edhe ky në kërkim prej disa kohësh. Akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave më shumë se një herë, armëmbajtje pa lej, sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, mashtrim dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim. Njësoj si Talo Çela, Nuredin Dumani akuzohet se ka krijuar grup të strukturuar kriminal dhe vetë është në rolin e krijuesit.
Personi i tretë është Altin Ndoci, i cili është me masë sigurimi “arrest në burg”, i akuzuar për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë,“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armve shperthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Klevis Alla, me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shperthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal,
“Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhje”e kryer në bashkëpunim.
Po kështu në Gjykatë u përcoll edhe kërkesa për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj Klevis Allës, për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, lidhur me ngjarjen e 28 Qershorit 2018 në qytetin e Durrësit, ku është kryer një vjedhje në filialin e Postës Shqiptare në lagjen 18, pasi nga hetimet rezultoi se i pandehuri nuk është i përfshirë.
Besian Xhixha, me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzohet për “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mashtrim” të kryer në bashkëpunim.
I akuzuari i fundit është Enver Diva, me masë sigurimi “arrest në burg”, i akuzuar për “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim.
Klevis Alla konsiderohet si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u ka treguar hetuesve përfshirjen e të akuzuarve në disa ngjarje.
Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë
Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Klevis Alla, i shumëkërkuari Talo Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një shumë parash që nuk ia kishin kthyer. Vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhje që kishte ndodhur në Janar të 2020-s.
Këto para dyshohet se janë grabitur në aeroportin e Rinasit.
Nga ana tjetër, Nuredin Dumani dyshohet që të ketë marrë pjesë në vrasjen e dy vëllezërve. Mendohet se ai është personi që ka kontraktuar Besian Xhixhën dhe Enver Divën. Talo Çela akuzohet edhe për vrasjen e Anxhelo Avdiajt dhe Dorian Shkozës më 2 mars 2020.
Ndërsa Nuredin Dumani dyshohet edhe për vrasjen e vëllait të ish-mikut të tij, Talo Çela, Bujar Çelës, në Shtator 2020 në një lokal në Bradashes të Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.