Ana e errët

Vrasja për hakmarrje? Si u ekzekutua i riu në Peqin, dëshmitari: U siguruan nëse kishte vdekur dhe dogjën makinën e tyre

Në vrasjen që i mori jetën 35-vjeçarit Albi Bashaliu në fshatin Gjoçaj, që dyshohet se ndodhi për hakmarrje, kanë marrë pjesë të paktën dy persona.

Ata kanë shfrytëzuar kohën kur ai ka qenë duke ecur drejt lokalit për ta qëlluar për vdekje dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij duke djegur makinën e tyre.

Një nga dëshmitarët, pronari i lokalit pranë vendit ku ndodhi ngjarja, tregon se ka parë gjithë skenën e krimit. Duke qenë e se njihte Bashaliun, ai thotë se gjithçka ka qenë pjesë e një plani të organizuar në mënyrë perfekte.

S.B., tregon për mediat si ndodhi vrasja, si ishin veshur autorët dhe sesi u larguan pasi i vunë flakën automjetit të tyre dhe morën atë të viktimës.

Ai thotë se kur ndodhi ngjarja ishte në lokal duke punuar, ndërsa shton se makina e autorëve ishte parkuar pranë biznesit të tij, por pa mundur të shquajë cilët ishin. Njëri prej autorëve ka dalë nga makina për të kryer krimin, ndërsa tjetri e ka pritur në makinë.

“Njëri bëri vrasjen, tjetri qëndroi aty (tek makina). Pasi e vrau, e qëlloi edhe një here për t’u siguruar nëse kishte vdekur dhe më pas i kontrolloi xhepat dhe i mori çelësin e makinës. Ndezi makinën e viktimës dhe u larguan”. Në këtë kohë, personi që ka qenë në makinë, i ka vënë zjarrin makinës me të cilën udhëtuan deri aty.

“Ai tjetri hodhi benzinë makinës së tyre, hipën në makinën e viktimës dhe u larguan. Makinën e vet e dogjën dhe ikën drejt”, – rrëfen dëshmitari, duke bërë me dorë dhe rrugën nga kanë ikur autorët.

Ai thekson se autorët ishin të qetë, duke lënë të nënkuptojë se bëhet fjalë për vrasës profesionistë. Dëshmitari thekson se autorët po ashtu ishin të maskuar, me rroba të zeza dhe maska anti-Covid në fytyrë.

Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje. Kjo pasi vëllai i viktimës në muajin qershor kishte vrarë me armë zjarri Ylber Xhahysën, me të cilin deklaroi se kishte pasur një konflikt për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë.

Deri më tani policia ka shoqëruar 20 persona, mes të cilëve është edhe djali i Xhahysës, Enriko Xhahysa 22-vjeç. Pavarësisht se i vëllai Leonard Bashaliu kishte vrarë një person, Albi Bashaliu nuk ruhej dhe bënte një jetë normale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë