Rend dhe Ligj

Vrasja në Shkodër dyshohet për gjakmarrje. Autori i dha një ‘mesazh’ viktimës para krimit

Pista kryesore e policisë për vrasjen e 47-vjeçarit Prek Tonaj në fshatin Grudë e Re në Shkodër është gjakmarrja.

Dyshohet se autori mbante një kapelë mbi kokë, ndërsa i është afruar Tonajt, duke i komunikuar një mesazh para vrasjes, që sipas grupit hetimor mund të jetë emri mbi të cilin është kryer krimi. “Ti e di që na ke një borxh”, – qenë mesazhi i autorit, i cili pas krimit është larguar me një person tjetër që po e priste në hyrje të lokalit.

Në fakt, punonjësi i Ujësjellës Kanalizimeve në Shkodër është i treti nga vëllezërit e familjes që ekzekutohet në dekadat e fundit.

Si nisi saga e gjakmarrjes mes 3 familjeve

Dy vëllezër të Prek Tonajt janë vrarë në dy episode të veçanta në fillim të viteve 90, njëri në Dukagjin të Shkodrës dhe tjetri disa vite më pas në burg.

Policia dyshon se vrasja e tij ka qenë e planifikuar, duke parë se e kaluara e viktimës ka lidhje me disa ngjarje të ndodhura mes 3 fiseve.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi me iniciale P.K., ka vrarë Nikollë Tonajn në kohën e komunizmit në burg.

Në vitin 1996, P.K., dyshohet se u vra më pas nga fisi Tonaj. Në vitin 2011, dyshohet se një tjetër fis i përfshirë në konflikt ka vrarë Zek Tonajn dhe ka plagosur babain e tij. Zanafilla e konfliktit ka qenë për motive të dobëta shprehen burime jo zyrtare të policisë.

Djali i 4 i familjes Preka që humb jetën

Lokali ku u vra Tonaj ndodhet i veçuar dhe jo shumë larg shtëpisë së tij. Babai i 47-vjeçarit, kur ka ndodhur vrasja ishte në Dukagjin.

Pasi ka marrë lajmin e vdekjes së djalit të 4, gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Prekë Tonaj është djali i 4 që ka futur në dhe, ku 3 dyshohet e janë vrarë për gjakmarrje, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Atentati i dështuar ndaj hasmit

47-vjeçari që mbeti viktimë e atentatit të dielën, në vitin 2011 ishte ndaluar nga policia, së bashku me të atin, Ndue Tonaj, asokohe 68 vjeç dhe një person tjetër, pasi po planifikonin vrasjen e hasmit të tyre. Por zbulimi dhe parandalimi në kohë nga autoritetet bëri që ky atentat të dështonte. 11 vite me pas, Prekë Tonaj qëllohet për vdekje në fshatin e tij brenda një lokali.

Ai ishte babai i katër fëmijëve, ndërkohë që policia ka shoqëruar në komisariat rreth 10 persona që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.  

Megjithatë pritet që gjatë ditës së sotme, grupi hetimor të marrë në pyetje dhe familjarë të viktimës të cilët mund të hedhin dritë në lidhje me konfliktet e mundshme të Tonaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë