Ana e errët

Vrasja në market nga agjenti i krimeve, dyshime mbi përgatitjen dhe reagimin e policëve

Me shishe birre në dorë dhe produkte ushqimore ata shtyjnë njëri-tjetrin. Brenda pak sekondash, ky fërkim midis të rinjsh që është e qartë se ndodh për çështje banale, mbyllet me njërin prej tyre të shtrirë për tokë. Ai nuk u pengua. As është rrëzuar pa dashje. Por është qëlluar me një plumb, nga arma që bashkëmoshatari tjetër që gjendej në supermarket mbante dhe që e shkrepi pa hezituar.

Autori i krimit rezultoi një polic me detyrë në Policinë e Dibrës, i cili ndodhej aty për të blerë ushqime dhe për t’u kthyer në shtëpi.

Polici me inicialet A.S., i moshës 27 vjeç, u largua nga vendngjarja menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në mesnatë në rrugën “Irfan Tomini”. Policia  zyrtarisht policia konfirmon se ai nuk ndodhej në detyrë në çastin që qëlloi me armën e shërbimit të riun nga kryeqyteti, i quajtur Jurgen Duka, për të cilin thuhet se gjatë kontrollit fizik dhe këqyrjes së vendngjarjes iu gjet në trup  rreth 2.8 gramë kokainë.

Dëshmia e punonjësit të marketit

Viktima Jurgen Duka, 29 vjeç që mban të veshur një bluzë të zezë të shkruar me germa kapitale, përpara se të humbasë jetën nga plumbi në zemër shfaqet i irrituar dhe sipas dëshmisë së punonjësit që gjendej në kasë në mesnatën e kaluar (në supermarketin 24 orësh), ata u shtynë se kush e kishte radhën dhe kush duhet të paguante.

Dëshmitari, një punonjës në kasë, është i pa sigurt nëse të gjashtë të rinjtë ishin apo jo nën efektin e alkoolit apo lëndëve të tjera, megjithëse disa herë kujton se iu ka bërë thirrje të mos grinden. E qartë është nga video se dy prej tyre përpiqen të minimalizojnë përplasjen, që në fakt nuk u bë e mundur të frenohej.

Por policia nuk jep asnjë detaj, nëse personat nën shoqërinë e policit që priste në radhë, janë apo jo efektivë policie, ndërkohë që me këtë çështje, veç sektorit të vrasjeve, po merret edhe shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesave.

Viktima i proceduar më parë, autori një agjent krimesh

Nuk është ende e qartë nëse polici kishte apo jo njohje të mëparshme me viktimën, apo nëse e ka njohur apo jo më herët për shkak të detyrës, megjithatë, e gjithë kjo është pjesë e një hetimi të gjerë që nuk përfshin vetëm rrethanat si ndodhi krimi, por edhe itinerarin e mëparshëm të dy palëve.

Nga veprimet paraprake të sektorit kundër vrasjeve në polici, viktima është i proceduar më parë për akuza dhe krime, si heqje e paligjshme e lirisë dhe përndjekje, për të cilat është dënuar me 4 muaj burgim.

Ndërkohë, që më herët ka pasur rekorde për mos bindje ndaj policisë dhe mashtrim, gjatë kohës kur sapo kishte lënë adoleshencën. Kurse polici që e qëlloi atë për vdekje, mban gradën e inspektorit dhe detyrën e agjentit të krimeve në Dibër.

Megjithëse është ende herët për të ngritur pikëpyetje, SHÇBA i tha jo zyrtarisht Gazetasi.al, se po shqyrton çdo mundësi dhe dyshim të përafërt, derisa të bindet se vërtet ky krim pavarësisht kamerave është ngjarje momentale.

Por mënyra sa lehtësisht e qëllon qytetarin një polic në detyrë, ngre sërish pikëpyetje të mëdha mbi përgatitjen e policëve për të qëndruar të qetë në çdo situatë dhe me çfarë proporcioni duhet përdorur arma.

Polici, ndonëse nuk është në detyrë, qëllon pa asnjë hezitim. Edhe pse grindja është prezentë, ajo nuk është e rrezikshme për jetën”, - tha zyrtari i SHÇBA-së për Gazetasi.al, duke lënë të nënkuptuar, se megjithë dyshimet që shtrohen paraprakisht, fakti që ai nuk qëndroi në vendngjarje, e rëndon pozitën e tij.

Të rinj që bëjnë sherr për asgjë

Që të rinjtë po konfliktohen për motive nga më të rëndomtat, disa herë Gazetasi.al, e ka sjellë në vëmendje të publikut. Megjithëse për rastin e fundit, policia pretendon se derisa të sqarojë dhe profilin e të riut tjetër, për të kuptuar nëse e gjitha kjo ishte një mosmarrëveshje e hershme, nuk mund ta konsiderojë ende në mënyrë të prerë një sherr banal.

Nuk është ende e qartë, nëse viktima është thjesht përdorues droge apo dhe shpërndarës, por nga sa kemi ndjekur ndër vite, kemi parë që të rinjtë zakonisht ruajnë situatën për t’u përplasur njëlloj si konflikti me armë përpara berberit në qershor të këtij viti, apo sherre masive të tjera, ku palët kanë nxjerrë armët.

Në një nga ngjarjet e ndodhura në Tiranë, të rinjtë përdorën sende të forta, duke pretenduar se po grindeshin për parkimin, por në të vërtetë gjatë vjeshtës, policia konstatoi (megjithëse pa prova), se e gjithë kjo përleshje pranë Paskuqanit ishte një konflikt për influencë në zonë.

“Nuk është ky rasti”, - thotë oficeri i policisë që flet për vrasjen e Jurgen Dukës për Gazetasi.al. Me siguri polici, relativisht i ri në detyrë, ka humbur qetësinë dhe nuk ka asnjë lidhje me viktimën.

Por mënyra si ai reagon, duke përdorur armën, hedh sërish dyshime mbi akademinë, nëse i përgatit apo jo policët e rinj për të reaguar siç duhet.

Me këtë rast, zyrtari kujton vrasjen e Klodian Rashës, i cili u qëllua pas shpine nga ish-polici Nevaldo Hajdaraj, që në atë kohë ngriti dyshime mbi ekipet policore dhe u bë shkak për nisjen e testit antidrogë ndaj policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë