Can Kariçi, 30-vjeçari i cili u gjet i vrarë të enjten në mbrëmje brenda makinës së tij, dyshohet se është ekzekutuar nga të paktën dy persona. Njëri prej tyre dyshohet se ka qenë qitës dhe tjetri ka drejtuar makinën.
Autorët kanë përdorur një mjet tip “Audi” që u gjet në zonën e Institutit, duke u djegur. Brenda makinës, e cila kishte targa të huaja, është gjetur një kallashnikov. Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten rreth orës 19:56 në Kodër Kamzë.
Viktima kishte precedentë të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit. Pas kontrolleve në mjetin e tij, policia gjeti një pistoletë. Can Kariçi me origjinë nga Dibra, mësohet se ishte banues në lagjen Nr.1 në Bathore, Kamëz.
Karriqi u ndalua në fund të muajit shkurt 2021 për armëmbajtje pa leje, por është liruar në rrethana të paqarta nga gjykata.
Ai u arrestua në Lezhë gjatë një operacioni të RENEA-s, iu gjet një pistoletë tip ‘GLOCK’ dhe 16 fishekë në xhepin e xhupit.
Ai dyshohet edhe për vjedhje, pasi në ambientet e lokalit ku u arrestua u sekuestruan edhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera.
Edhe pse atij i është zbutur masa e sigurisë, nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie” dhe akuzohej për armëmbajtje pa leje, sërish Karriqi ka vijuar të mbajë me vete pistoletë për shkak se i druhej një sulmi me armë.
Sipas informacioneve paraprake, thuhet se Can Kariçi ishte shok me Erigers Mihasin, i cili bashkë me Armand Dumanin, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda një makine Audi të bardhë në “Astir” rreth një muaj më parë. Pikërisht e kaluara e tij është pistë e hetimit nga prokuroria për ekzekutimin mafioz.
Hetimi po bëhet edhe nëse Kariçi mund të ketë pasur konflikte me autorët apo nëse ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dyfishtë në “Astir”.
Po ashtu viktima e sotme raportohet të ishte mik edhe me Vis Martinajn, një emër ky i lakuar shpesh herë në botën e krimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.