Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vite burg Klevis Allën, i akuzuar si i përfshirë për vrasjen e dy vëllezërve, Besmir e Viktor Haxhia në prill 2020 në Durrës.
Alla kishte marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por më pas iu hoq pasi dëshmitë e tij binin ndesh me ato të Nuredin Dumanit.
Për këtë ngjarje, i akuzuari tjetër Altin Ndoci mori pafajësi. Me 6 vjet burg u dënua Besmir Xhixha, ndërsa Enver Diva me 5 vjet heqje lirie.
Klevis Alla ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Dumanin, i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë. Bashkë me Nuredinin ishte edhe një person pa kapuç, por sipas tij, ai nuk e njihte.
Po ashtu Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për t’u takuar. Sipas të penduarit Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë dhe ka shkuar tek tregu i Shënvlashit. Sipas të penduarit asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllanë e tij Viktorin.
Sapo makina “Golf 6” është afruar, Klevis Alla ka treguar se Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar e ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur. Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Klevis Alla ka treguar se Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar vëllezërve ku ka qëlluar sërish mbi ta.
Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës.
Ndërsa Alla e ka braktisur makinën tip “Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit.
Më pas të nesërmen, Alla ka treguar se “kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë pasi në zonë po lëvizin disa policë”.
Nga ana tjetër, gjykata ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit të dyshuar për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdijas në Durrës.
Po ashtu Ndoci akuzohet si pjesë e vrasjes së Besmir dhe Viktor Haxhia. Implikimi i tij në këto krime doli pas dëshmisë së Klevis Allës.
Në atë kohë ai rrëfeu se në ngjarje ka marrë pjesë edhe Altin Ndoci. Por ndryshe ka rrëfyer bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka dëshmuar se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje në Durrës. Në të tilla kushte mbrojtja i kërkoi gjykatës pushim të akuzave, për të cilën gjeti miratim të togave të zeza.
Për dy atentatet, akuzohet Talo Çela dhe Nuredin Dumani. I pari është ende në arrati dhe i shpallur në kërkim, ndërsa i dyti po bashkëpunon me drejtësinë, pasi dyshohet se ka marrë pjesë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.