Prokuroria Posaçme shtyn me tre muaj hetimet për 7 persona e akuzuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Zgjatja e Hetimeve u kërkua pasi SPAK është duke mbledhur prova të tjera, lidhur me këtë dosje.
Për dy vrasjet e bujshme të 2005 të pandehur janë marrë, Indrit Rusi, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Plarent Dervishaj, Lulzim Berisha Indrit Taullau, dhe Luftar Reçin. Në kërkim vijojnë të jenë Dervishaj dhe Berisha.
SPAK ka regjistruar çështjen ndaj këtyre personave në tetor të këtij viti dhe në 7 dhjetor Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg në mungesë. Për ekzekutimin e tyre operacioni u shtri në tre qytete Tiranë, Vlorë dhe Durrës.
Ishte dëshmia e të dënuarit në burgun e Peqinit, Luftar Reçit, njëri prej personave që ka marrë pjesë në këto vrasje, ai që pas bashkëpunimit me drejtësinë bëri të mundur zbardhjen e dy krimeve të rënda që 16 vite më parë tronditën vendin.
Reçi dëshmoi se si u përgatit e gjithë ngjarja e ekzekutimit në makinë të Klodjan Saliut në aksin Durrës-Tiranë në 26 shkurt 2005 nga Lul Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj, të cilët ndodhen në kërkim ndërkombëtar.
Ndërsa ka treguar se Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi kanë bashkëpunuar për të ekzekutuar me tritol C4 Vajdin Lamajn.
Sipas dëshmisë se të penduarit Luftar Reçi, ka qenë Viktor Ymeri, i cili nga burgu ka gjetur personin që për llogari të Shullazit që do të kryente këtë ekzekutim.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rifilloi hetimet në një dosje të vetme, ndërsa të akuzuarit ndodhen në burg për krime dhe dënime të tjera. Emrat e lart përmendur janë emra të njohur për drejtësinë, ndërsa Indrit Rusi njihet si anëtar i bandës së Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.