Lajme

Vrasja e shqiptarit Ilir Hidri në Ekuador, arrestohet në Maqedoninë e Veriut trafikanti Remzi Azemi

Gazeta Si - Remzi Azemi, i shpallur në kërkim për vrasjen e Ilir Hidrit në Ekuador në majt të vitit 2017, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut.

Azemi, shtetas nga Kosova, ishte i dyshuar për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidri në qytetin Guayaquil të Ekuadorit.

Sipas shtypit ekuadorian, gjatë procesit hetimor janë grumbulluar prova që dëshmojnë lidhjen e Azemit me këtë krim.

Azemi ishte shpallur me njoftim të kuq në listën e Interpolit për vrasjen e ndodhur para 6 vjetësh.

Njësia Gjyqësore Kriminale Jugore, me seli në Guayaquil, kishte lëshuar një urdhër arresti për të në vitin 2021.

Gjithnjë sipas mediave lokale, Azemi “është në pritje të procesit formal të ekstradimit”.

Azemit u bë atentat në Ekuador, por arriti të shpëtojë. Atentat iu bë edhe ortakut të Azemit, Fadil Kaçaniçit, i cili dyshohet se bashkë me Azemin kishin eliminuar Hidrin për t’i marrë një shumë prej 2 milionë dollarësh. Por ndërsa Azemi shpëtoi, Kaçaniç u eliminua së bashku me bashkëshorten.

Dyshohet se vrasja e Hidrit ka ndodhur pas konflikteve mes autorit dhe viktimës sa i takon trafikut të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Banda e Azemit, akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Europë.

Ata dyshohej se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenjerëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në Europë.

Autoritetet ekuadoriane kishin lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij në vitin 2021. Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt shtetit të Amerikës së Jugut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë