Ngjarje

Vrasja e shqiptares në Athinë, Mitsotakis: Fushatë informuese që gratë të dinë ku të drejtohen

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për vrasjen e 40-vjeçares shqiptare, Enkelejda Danaj e cila u gjet e vrarë me thikë në Athinë.

I pyetur për këtë rast ai deklaroi se po bëjnë fushatë informuese që gratë të dinë ku të drejtohen.

“Po bëjmë një përpjekje të madhe nga njëra anë duke trajnuar policinë për të menaxhuar siç duhet këto incidente, po bëjmë një fushatë informuese në mënyrë që gratë të dinë se mund t’u drejtohen autoriteteve për mbrojtje.

Këto politika nuk do ta zgjidhin problemin por do ta reduktojnë në mënyrë drastike. U bëj thirrje grave që të përdorin edhe strukturat pritëse, sepse kur nuk ka strehim të sigurt, gjërat mund të jenë potencialisht të rrezikshme”, deklaroi ai.

Sipas mediave lokale, gruaja, nënë e dy fëmijëve, është gjetur në rrugë me plagë në bark, ndërsa pranë saj kishte edhe thikën me të cilën është vrarë. Grupi hetimor deri më tani ka përjashtuar pistën e vrasjes për grabitje, pasi 40-vjeçares shqiptare i është gjetur çanta e paprekur me sendet personale, portofoli dhe celulari.

Sipas mediave vendase pas vrasjes fshihet një histori dhune në familje, pasi 40-vjeçarja kishte denoncuar të paktën një herë më parë dhunën nga bashkëshorti.

Në 5 vitet e fundit nga 2020 deri tani në Greqi kanë ndodhur gati 100 raste të femicidit. Vrasja e 40-vjeçares është rasti i 6 për 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë