Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” për 8 personat e shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos.
Është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, për Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, dhe Dritan Agaj, të gjithë banues në Tiranë, si dhe për Fatmir Hysenin, nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”.
Ndërkohë, pritet që brenda pak ditësh të jepet masa edhe për Blendi Tetën, i arrestuar po për të njëjtën çështje.
Të shpallurit në kërkim akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje, vjedhja, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
26-vjeçari Santiago Malko u vra me armë zjarri më 27 gusht të këtij viti në rrugën “Xhanfize Keko”, në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes kur drejt makinës së Malkos u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.
Santiago Malko dyshohet të ketë pasur lidhje shoqërore me Ervis Martinaj, i cili u përfshi në vrasjen në Ish-Bllok më 4 tetor të vitit të shkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




