Drejtësia

Vrasja e Santiago Malkos, Apeli i Posaçëm dënon me 28 vite burg Ilir Selmanin

Gazeta Si - Apeli i Gjykatës së Posaçme ka dënuar përfundimisht Ilir Selmanin me 28 vite burgim, i shpallur fajtor si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të 2019.

SPAK ka deklaruar gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit se ish-polici u vra si pasojë e përplasjes mes grupeve kriminale që veprojnë në Tiranë. 

Më herët për këtë ngjarje, si bashkëpunëtor në vrasje është dënuar edhe shtetasi Blendi Teta. Ndërkohë një proces gjyqësor në mungesë vijon për dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, të konsideruar si porositës të ngjarjes dhe ndaj 4 personave të tjerë.

Gjithashtu është dënuar me 7 vite burg, Elvis Gacaj, i akuzuar po ashtu si i përfshirë në vrasjen e ish-policit. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kishte kerkuar 32 vjet burgim në total për 2 të pandehurit.

Hetimet për vrasjen treguan se motiv për ngjarjen e rëndë ishin përplasjet e grupeve kriminale në Tiranë. Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Santiago Malko dikur ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe më pas është përjashtuar.

Në kërkim me vendim gjykate janë shpallur 7 persona, Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku e Dritan Agaj të gjithë nga Tirana, si dhe Fatmir Hyseni nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë