Rend dhe Ligj

Vrasja e Pjetër Kazës, identifikohet autori. Policia: E qëlloi me automatik sapo zbriti nga makina

Gazeta Si – Autori i dyshuar i vrasjes së 57-vjeçarit, Pjetër Kaza në fshatin Tale të Lezhës, është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Sipas policisë, vrasësi i dyshuar me iniciale G.A., ka qëlluar me automatik në drejtim të shënjestrës së tij në momentin që Kaza kishte zbritur nga makina për të hapur portën dhe për të hyrë në banesë.

Si pasojë e plagëve të marra, 57-vjeçari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndëra policia në njoftimin e saj për shtyp nuk specifikon dyshimet për shkakun e krimit.

“Nga hetimi intensiv dyshohet se shtetasi G.A. (për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera) ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit P. K., në momentin që ai kishte zbritur nga makina për të hapur portën e banesës, për të hyrë në banesë. Si pasojë e dëmtimeve, 57-vjeçari P. K. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, – njofton policia.

Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, megjithatë nuk përjashtohet as ndonjë pistë tjetër që lidhet me ndonjë konflikt të kohëve të fundit të viktimës.

Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, ishte kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate.

Zanafilla e konfliktit ku familja e viktimës ishte përfshirë daton prej vitit 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.

Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit.

Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.

Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.

Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë