Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Apeli vendos në 1 korrik për Arbër Paplekajn, mbrojtja përplaset me akuzën për goditjen ‘instiktive’

Gazeta Si - Gjykata e Apelit do të shpallë më 1 korrik, në orën 14:00, vendimin për Arbër Paplekajn, të akuzuarin për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 në Elbasan.

Këtë të premte, Apeli u njoh me konkluzionet përfundimtare në procesin ndaj Paplekajt dhe në dëshminë e tij, avokati Mirash Martini, tha se ish-oficeri i RENEA-s nuk ka reaguar në asnjë moment me dhunë, por se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Sipas tij, bazuar në pamjet filmike, Paplekaj ka reaguar instiktivisht në mbrojtje të vetes dhe personave që ndodheshin aty kur pa dy persona të armatosur.

“Arbër Paplekaj nuk ka reaguar me dhunë në asnjë moment. Ai shquhet nga pamjet që madje përpiqet të largohet. Nuk ka asnjë person në vendngjarje që të dëshmojë që Paplekaj ka fyer dikënd. Por në momentin kur ballë tij kishte dy persona që mbanin duart në borseta krahë qafe dhe kur ka parë armë në duart e tyre, ka reaguar instiktivisht në mbrojtje të vetes dhe personave që ndodheshin aty. Edhe nga pamjet filmike, edhe akti i ekspertimit, tregon se kur Paplekaj ndodhet përballë Pjerin Xhuvanit, sheh dy personat të armatosur në krahët e tij, sheh dhe Pavlo Duksanit që është plagosur në atë çast, ky është edhe momenti i reagimit të tij”.

Avokati Martini tha se gjykata pranoi rihapjen e pjesshme të hetimit gjyqësor, duke u kryer dy akt eskpertime të reja.

Prokurori: Nuk jemi në kushtet e vetëmbrojtjes

Por nuk mendon kështu prokurori Genti Xholi, i cili pas vlerësimit të rezultateve nga dy akt-eskpertimet e reja që janë kryer, thekson se Paplekaj nuk ka qëlluar për t’u mbrojtur.

Ai e mbron tezën e tij me argumentin se viktima, Pjerin Xhuvani, nuk ka pasur armë në dorë dhe se në drejtim të tij Paplekaj ka qëlluar disa herë.

“Në ndryshim nga shkalla e parë, në Apel patëm një akt ekspertim të ri balistik. Mbrojtja përpiqet që viktimën e veprës penale ta kthejë në një objekt kryesor të sulmit, për të legjitimuar veprimet e të pandehurit. Është e vërtetë që ngjarja është shumë e shkurtër. Është provë se është shtënë 7 herë nga Paplekaj. Është qëlluar ndaj një personi që nuk ka armë në dorë. Përse është shtënë ndaj viktimës dhe jo ndaj dy personave të tjerë, që konsiderohen të kenë qenë të armatosur. Nuk jemi në kushtet e veprimit në kushtet e vetëmbrojtjes. Mund të jetë shtyrë, mund të jetë fyer. Nuk jemi as në kushtet e tronditjes psikike. Janë shtënë disa predha, jo vetëm një.”

Vrasja e Pjerin Xhuvanit

Ish-efektivi i repartit RENEA është dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të mjekut psikiatër, por ai pretendon se krimin e kreu për vetëmbrojtje.

Në të njëjtin proces me Paplekaj po gjykohen edhe dy ish-nëndrejtorët Policisë së Elbasanit, në sytë e të cilëve ndodhi vrasja, të cilët janë dënuar me 1 vit shërbim prove për shpërdorim, si dhe 6 efektivë të forcave Shqiponja, po ashtu të dënuar me shërbim prove.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 21 prillit 2021, 4 ditë përpara zgjedheve parlamentare.

Pjesëtarë të të ashtuquajturës struktura për mbrojtjen e votës e Partisë Demokratike ku bënte pjesë edhe Arbër Paplekaj, ndaloi Mehmet Grecën një të skeduar për drogë që sipas tyre po tentonte të blinte vota në favor të PS-së.

Mbështetësit e opozitës njoftuan policinë, ndërsa miqtë e Grecës u afruan më shpejtësi për t’i dhënë ndihmë. Teksa policia ndodhej në vendin e ngjarjes për të sqaruar situatën, dy grupet u konfliktuan dhe Arbër Papleka nxori armën me leje dhe qëlloi duke lënë të vrarë Xhuvanin, ndërsa u plagosen dhe 4 të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë