Gazeta Si – Dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla do të hetohen në gjendjen e “arrestit të shtëpisë” për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Gjykata e Elbasanit ka konfirmuar masën e sigurisë të kërkuar nga Prokuroria, e cila pretendon se dy zyrtarët kanë qenë pranë vendngjarjes ku u ekzekutua me armë Pjerin Xhuvani, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Por edhe pse Gjykata thotë se ka njoftuar dy ish-drejtuesit për masën e sigurisë, vetë njëri prej tyre, Albert Nushi, thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nushi tha gjithashtu se nuk ka qenë i përfaqësuar nga avokat në sallën e gjyqit.
Ndaj dy ish-zv.drejtuesve të lartë të Policisë së Elbasanit janë ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe dëshmisë së rreme, në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Gjithashtu, e njëjta gjykatë ka vendosur masën e pezullimit nga detyra edhe të gjashtë efektivëve të tjerë të forcës së posaçme “Shqiponja”, të cilët gjithashtu kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.
Një video filmike e ngjarjes ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, është prova kryesore e prokurorisë në hetimin që çoi në “arrest shtëpie” dy zv.drejtorët e Policisë, Albert Nushi e Nikolin Palla.
Nga këqyrja e saj hetuesit kanë konstatuar mospërputhje të veprimeve të kryera në ngjarje nga punonjësit e policisë, në krahasim me ato që kishin deklaruar më pas. Sipas burimeve, të dyshuarit Nushi, aktualisht zv.drejtor i Policisë së Beratit dhe Palla zv.drejtor për rendin në Elbasan, ndonëse kanë qenë të pranishëm në situatën e tensionuar mes simpatizantëve të PD-së e PS-së, nuk kanë kryer veprimet e duhura në parandalimin e krimit dhe as koordinuar vartësit e tyre pas të shtënave.
Nga ana tjetër, hetuesit pretendojnë deklarime jo të vërteta edhe nga efektivët e policisë, që teksa ndodhi ngjarja po shoqëronin drejtuesin e një mjetit, ku sipas simpatizantëve të PD-së kishte materiale zgjedhore.
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasjeje me armë mes dy grupimeve politike, mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur katër persona të tjerë mes të cilëve një punonjëse policie.
Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua si autor i krimit Arbër Papleka, shoqërues i drejtuesit politik të PD-së të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.
Papleka, ish-efektiv i RENEA-s qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD-ja në të gjithë vendin për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.