Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit 14 muaj më parë, prokuroria rindërton skenën e krimit

Gazeta Si – Pas thuajse 14 muajsh, Prokuroria e Elbasanit është rikthyer në vendin ku u vra  Pjerin Xhuvani gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Prokurorët kanë rindërtuar edhe një herë skenën e krimit, ku u ekzekutua aktivisti i PS dhe mbetën të plagosur tre persona të tjerë.

Burime bëjnë me dije se një grup hetimor ka rindërtuar skenën e krimit, me qëllim për të pasur një panoramë të qartë të asaj që ndodhi vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë.

LEXO EDHE:
Policia: Si ndodhi vrasja e Xhuvanit. 11 të arrestuar, akuza për vrasje e pengmarrje. Në makinë asnjë provë për shitblerje votash

Policia kishte rrethuar zonën me shirita sigurie, ndërsa prokurori i çështjes Ridvan Suka ndodhet në krye të hetimeve.

Kjo është hera e parë që grupi hetimor ka zbritur në terren dhe po inskenon të gjithë ngjarjen. Është bërë mbyllja e rrugës dhe nuk lejohet lëvizja e makinave.

Për ngjarjen, vijon të mbetet në burg si autor i dyshuar ish-efektivi i RENEA-s, shoqëruesi i Gazment Bardhit, Arbër Paplekaj.

Paplekaj akuzohet për kryerjen e veprave penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “5 Maj” në Elbasan. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i PS-së për Elbasanin, Pjerin Xhuvani.

Në këtë përplasje, mbeti e plagosur punonjësja e policisë, Xhensila Sota dhe dy persona të tjerë.

Sipas policisë, përplasja me armë ndodhi për shkak të dyshimeve të shtabit elektoral të PD, se një makinë e shtabit të PS-së po shpërndante para në këmbim të votave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë