Lajme

Vrasja e kushërinjve në Laç, identifikohen autorët

Lidhur me vrasjen mbrëmjen e së dielës në qytetin e Laçit, policia në një njoftim zyrtar ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim tre persona si autorë të dyshuar të vrasjes.
Për ngjarjen e rëndë në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas dhe më pas gjetën vdekjen, Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë. Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit. Policia bën me dije se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: Markel Bushi, 25 vjeç, Manuel Bushi, 23 vjeç dhe Vincesk Bushi, 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.
Ndërkohë, Policia e Kurbinit po vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Ngjarja e rëndë tronditi Laçin mbrëmjen e së dielës.
Nga shkëmbimi i zjarrit kanë gjetur vdekjen shtetasit Mikel Jushi, 35 vjeç dhe Jani Jushi 30 vjeç, që kanë pasur lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Njëri nga dy viktimat, Jani Jushi, ka qenë ish-futbollist me Kategorinë Superiore. Në faqen zyrtare të FSHF-së rezulton se Jushi ka qenë aktiv deri në vitin 2014, dhe është aktivizuar me Laçin, Kastriotin dhe Mamurrasin.
Të dy viktimat u transportuan me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por ndërruan jetë gjatë rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë