Babë e bijë, Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj, të cilët akuzohen për vrasjen e Kudret Saliajt, janë lënë në burg. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë planifikuar dhe kanë vrarë Kudret Saliaj. Ky i fundit është ish-burri i Dhurata Saliajt, me të cilën ishin në një proces divorci.
Dhurata e Kudrat Saliaj kishin qenë 17 vite të martuar. Prej 8 muaj kishin nisur konfliktet sipas hetimeve të Prokurorisë.
Vrasja ndodhi të premten e kaluar në një lokal afër Gjykatës së Tiranës. Kudret Saliaj ishte në tavolinë bashkë me avokatin e tij, Adriatik Camaj, i cili mbeti i plagosur jashtë rrezikut për jetën.
Në të njëjtin lokal sipas Prokurorisë ka qenë dhe Dhuratat Saliaj dhe Mexhit Picari, të cilët kanë vëzhguar për më shumë se 30 minuta lëvizjet e viktimës dhe më pas e kanë vrarë.
Ndërkohë, në sallën e gjyqit Mexhit Picari ka mohuar që vajza e tij të kishte dijeni për vrasjen. Ai ka kërkuar ndjesë për krimin e bërë.
“Kërkoj ndjesë publikisht për çfarë kam bërë edhe falje. Të më falin nipërit dhe mbesat, i kërkoj falje edhe vajzës që i vrara burrin. Dhurata s’ka pasur dijeni. Pistoletën e kisha në brez dhe se mora në çantën e gocës”, ka thënë ai.
Edhe Dhurata Saliaj ka mohuar të ketë gisht në vrasje. Ajo ka deklaruar se nuk e dinte që babai i saj do kryente vrasjen, pasi në të kundërtën s’do e kishte lejuar kurrë.
“Atë ditë isha për gjykatë. S’e dija që babi do bënte vrasje. S’do e lejoja kurrë. Kudreti ishte babai i fëmijëve të mi, s’do e lejoja. Kërkoj mëshirë nga Gjykata, kam tre fëmijë për të rritur”, ka thënë 32-vjeçarja gjatë seancës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.