Ish-efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, është dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, me 8 dhjetor të vitit 2020. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të kryejë 10 vite burg, duke iu ulur 1/3 e dënimit.
Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi që i riu të dënohet në minimum, kërkesë që nuk u pranua. Ndërkohë që vetë Hajdaraj nuk foli gjatë seancës.
Më 3 qershor, Prokuroria e Tiranës paraqiti në gjykatë pretencën për vrasjen e Klodian Rashës, duke kërkuar dënimin me 20 vjet burg për ish-policin, Nevaldo Hajdaraj.
Zhgënjimi i babait të Klodianit
Pas seancës, ka reaguar edhe babai i viktimës, Qazim Rasha, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij për vendimin e Gjykatës së Tiranës. “Falënderoj nga zemra çdo person që ka trokitur në derën time, falënderoj çdo qytetar që mbushën rrugët me moton ”unë jam Klodiani”. Djali im iku u varros, mendoja që me këtë rast të shërbente një shembull për ata që janë gjallë, si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e zbardhur, ai duhet të bëhej shembull, se është një rast që nuk ka ndodhur ndonjëherë në shtetin tonë. Ai për të cilin ne paguajmë taksa, vret në rrugë”, – tha Qazim Rasha.
LEXO EDHE:
– Hetimi për Klodianin dhe për policinë. A dinë të reagojnë policët teksa vihen në ndjekje të një të dyshuari?
– Minutë pas minute natën e vrasjes së Klodian Rashës, rrëfimet e dy policëve
Ngjarja
Klodian Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës, pasi Hajdaraj e ndoqi për ta ndëshkuar në lidhje me shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mosmbajtjen e maskës anti-Covid.
Efektivët i kanë bërë thirrje për të ndaluar që në zonën e Don Boskos, por ai është frikësuar dhe ka vendosur që të largohet me vrap. Pak orë pas ekzekutimit të tij, Policia e Shtetit lëshoi versionin se viktima ishte i armatosur dhe në një moment është kthyer nga efektivët që po e ndiqnin, duke i drejtuar një objekt që në dukje ngjante me një armë zjarri.
Gjë që u përgënjeshtrua nga familjarët dhe më pas u rrëzua edhe nga ekspertët. Kjo hipotezë mori jetë edhe pas gjetjes së një pistolete pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por që më pas rezultoi se nuk i përkiste 25-vjeçarit.
Ndërkohë, policia sekuestroi dy gëzhoja dhe një predhë që dyshohet se kanë dalë nga arma e policit. I riu nuk mbërriti me shenja jete në spital, pasi plumbi që kishte marrë në kokë e kishte lënë të vdekur në vend.
SHÇBA doli në përfundimin se veprimet e Hajdarajt, bien në kundërshtim me procedurat standarte të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Ndryshimi i akuzës nga prokuroria
Prokuroria njoftoi në 16 dhjetor se ka vendosur ndryshimin e akuzës ndaj efektivit Nevaldo Hajdaraj, nga “vrasje në tejkalimin e kushteve të mbrojtjes”, në “vrasje me dashje”.
Bazuar në disa pamje filmike, të siguruara nga disa biznese pranë vendit të ngjarjes, prokuroria pretendoi se kishte një tablo më të qartë të situatës.
Sipas organit të akuzës, efektivi ka kryer goditje sistematike me armë zjarri, duke u pozicionuar (ka qenë shtrirë në tokë) në momentin që ka qëlluar mbi të riun, fakt ky i cili vërtetohet edhe nga dëshmia e kolegut të tij. “Ndryshimi i akuzës vjen për shkak se efektivi ka qëlluar dy herë me armë zjarri” mbi të riun.
Më 3 qershor, Prokuroria e Tiranës paraqiti në gjykatë pretencën për vrasjen e Klodian Rashës, duke kërkuar dënimin me 20 vjet burg për ish-policin, Nevaldo Hajdaraj. Në seancat gjyqësore ndaj tij, ish-efektivi i ka kërkuar falje babait të Klodianit, Qazim Rashës për ngjarjen e rëndë.
Protestat dhe dhuna e të rinjve
Vrasja e 25 vjeçarit shkaktoi reagime të shumta dhe një valë protestash në Shqipëri, kryesisht nga ana e të rinjve që kërkonin drejtësi.
Gjithashtu pati reagime nga politikanë dhe figura të tjera publike që dënuan vrasjen e të riut. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e dënoi vrasjen dhe u shpreh se ngjarja duhej të zbardhej sa më shpejt.
Protesta të shumta pati kundër policisë dhe qeverisë në Tiranë dhe në Shkodër. Më 9 dhjetor 2020, në orët e mbrëmjes u zhvillua një protestë e dhunshme përpara godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, si dhe drejtësi për Klodianin.
Gjatë protestës, të rinjtë qëlluan godinat qeveritare me gurë dhe sende të tjera të forta, si dhe dogjën dhe shkatërruan një bredh Krishtlindjesh pranë Kryeministrisë dhe një bredh tjetër ne sheshin “Skënderbej”.
Dhjetëra oficerë policie u lënduan gjatë protestave dhe përplasjeve fizike me demonstruesit. Për të mbajtur situatën nën kontroll, policia përdori edhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve.
Dorëheqja e Sandër Lleshajt
Dy ditë pas ngjarjes dhe protestave të dhunshme në rrugët, kryesisht në Tiranë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj jep dorëheqjen.
Në mesazhin e tij në lidhje me këtë vendim, kryeministri Rama u shpreh se ministri Lleshaj i kishte vënë në dispozicion dorëheqjen. Kryeministri theksoi se e vlerëson atë për sensin qytetar, ndërsa e distancoi nga ngjarja.
“Lleshaj më vuri në dispozicion dorëheqjen e tij menjëherë pas ngjarjes. I thashë të më presë të kthehem. Jemi takuar edhe sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjësisë qytetare të Sandër Lleshajt. Por në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të vrasjes së një djali 25-vjeçar”, u shpreh Rama, i cili ndodhej jashtë Shqipërisë për një vizitë pune.
Pas mbërritjes në Tiranë, ai shkoi menjëherë për ngushëllim në familjen Rasha. Me një VKM, qeveria caktoi një pension të përjetshëm për familjen Rasha, por që u refuzua me justifikimin se nuk kishte probleme financiare. Në nder të tij, Bashkia Tiranë vendosi që rruga ku u ekzekutua i riu, të marrë eemrin Klodian Rasha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.