Drejtësia

Vrasja e Klodian Rashës, Apeli dënon me 12 vite burg Nevaldo Hajdarajn

Gazeta Si -Gjykata e Apelit ka dënuar me 18 vite burg ish-policin Nevaldo Hajdaraj, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 12 vite.

Nga Gjykata e Shkallës së Parë, Hajdaraj ishte dënuar me 15 vite burgim dhe nga gjykimi i shkurtuar do të vuante 10 vite.

Me vendimin e kësaj të mërkure, 16 mars 2022, Apeli ia ka shtuar vitet e dënimit ish-policit.

Hajdaraj akuzohet për vrasjen e Klodian Rashës, ngjarje e ndodhur më 8 dhjetor 2020 në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë në kohën kur ishte vendosur orë policore për shkak të pandemisë.

Më herët, Prokuroria kërkoi që Nevaldo Hajdaraj të dënohej me 20 vite burg dhe të mos i pranohej gjykimi i shkurtuar.

Por Gjykata e Apelit Tiranë nuk e mori parasysh kërkesën. Ndërsa pala mbrojtëse kërkoi që Nevaldo Hajdarajt t’i rrëzohej akuza e vrasjes me dashje për shkak se u vetëmbrojt, por edhe kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese.

Ngjarja

Klodian Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës, pasi Hajdaraj e ndoqi për ta ndëshkuar në lidhje me shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mosmbajtjen e maskës anti-Covid.

Efektivët i kanë bërë thirrje për të ndaluar që në zonën e Don Boskos, por ai është frikësuar dhe ka vendosur që të largohet me vrap. Pak orë pas ekzekutimit të tij, Policia e Shtetit lëshoi versionin se viktima ishte i armatosur dhe në një moment është kthyer nga efektivët që po e ndiqnin, duke i drejtuar një objekt që në dukje ngjante me një armë zjarri.

Gjë që u përgënjeshtrua nga familjarët dhe më pas u rrëzua edhe nga ekspertët. Kjo hipotezë mori jetë edhe pas gjetjes së një pistolete pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por që më pas rezultoi se nuk i përkiste 25-vjeçarit.

Policia sekuestroi dy gëzhoja dhe një predhë që dyshohet se kanë dalë nga arma e policit. I riu nuk mbërriti me shenja jete në spital, pasi plumbi që kishte marrë në kokë e kishte lënë të vdekur në vend.

SHÇBA doli në përfundimin se veprimet e Hajdarajt, bien në kundërshtim me procedurat standarte të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Ndryshimi i akuzës nga prokuroria

Prokuroria njoftoi në 16 dhjetor se ka vendosur ndryshimin e akuzës ndaj efektivit Nevaldo Hajdaraj, nga “vrasje në tejkalimin e kushteve të mbrojtjes”, në “vrasje me dashje”.

Bazuar në disa pamje filmike, të siguruara nga disa biznese pranë vendit të ngjarjes, prokuroria pretendoi se kishte një tablo më të qartë të situatës.

Sipas organit të akuzës, efektivi ka kryer goditje sistematike me armë zjarri, duke u pozicionuar (ka qenë shtrirë në tokë) në momentin që ka qëlluar mbi të riun, fakt ky i cili vërtetohet edhe nga dëshmia e kolegut të tij. “Ndryshimi i akuzës vjen për shkak se efektivi ka qëlluar dy herë me armë zjarri” mbi të riun.

Më 3 qershor, Prokuroria e Tiranës paraqiti në gjykatë pretencën për vrasjen e Klodian Rashës, duke kërkuar dënimin me 20 vjet burg për ish-policin, Nevaldo Hajdaraj. Në seancat gjyqësore ndaj tij, ish-efektivi i ka kërkuar falje babait të Klodianit, Qazim Rashës për ngjarjen e rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë