Rend dhe Ligj

Vrasja e Klaudio Prendit në Tiranë, ‘Audi’ i autorëve ishte vjedhur 1 vit më parë te Liqeni Artificial

Gazeta Si- Makina tip “Audi” e përdorur nga atentatorët për të kryer vrasjen e Klaudio Prendit tre ditë më parë, është vjedhur në Tiranë 1 vit më parë.

Mjeti i autorëve, të cilë dyshohet se janë 3 persona, u gjet i djegur në Liqenin e Frakës rreth 30 minua pas atentatit mafioz tek rruga “Xhanfize Keko” në kryeqytet.

Identifikimi është bërë nga numri i shasisë së makinës, e rikuperuar nga ekspertët. Pronari e ka denoncuar në kohën që është vjedhur. Edhe arma e zjarrit silenciator, e gjetur në mjetin e djegur, është dërguar në laborator për ekspertizë.

Vrasja ndodhi rreth orës 00:36, pak pas mesnatës së të hënës (19 nëntor), pasi shënjestra doli nga lokali ku ishte nën shoqërinë e disa miqve të tij dhe 3 punonjësve të policisë.

Sapo 28-vjeçari u fut brenda mjetit të parkuar pranë stacionit të autobusit drejt tij u qëllua me armë me silenciator, që u gjet brenda “Audi”-t të djegur. I riu u transportua nga miqtë e tij në spitalin e Traumës, por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, po shqyrtohet pista e dhënies së fajdeve dhe basteve sportive, përfshirë edhe lidhje me aktivitete dhe lidhje të dyshimta jashtë vendit.

Ka dyshime se persona të ndryshëm të kenë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk u ka shlyer. 

Grupi hetimor, thotë se nga deklaratat dhe zbërthime të disa telefonave, rezulton se Klaudio Prendi ka pasur rreth 15 mijë euro borxh, shumë e cila mund të jetë rritur pasi dyshohet se është marrë me përqindje.

Në lidhje me këtë pistë babai i tij dhe ish-gjyqtari Fran Prendi, është shprehur se djali i ka rrëfyer përciptazi për një konflikt borxhi, por diçka e vogël dhe nuk i ka dhënë detaje as për shifrën dhe as për personat me të cilin e kishte këtë konflikt.

Një pistë tjetër është edhe ajo e babait të viktimës, ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili ka hetuar dhe vendosur për disa nga çështjet e personave të inkriminuar dhe me peshë në botën e krimit, duke dhënë edhe disa dënime me burg të përjetshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë