Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme ka vendosur të marrë në dorë dosjen e ekzekutimit të 27-vjeçarit Klaudio Prendi, i cili u vra në një atentat në kryqëzimin e zonës së xhamllikut në Tiranë në orët e para të 19 nëntorit.
Dyshohet se autorët e vrasjes së Prendit janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndaj dhe kjo çështje i ka kaluar për kompetencë SPAK-ut.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të GJKKO-së, Fran Prendi, u ekzekutua me silenciator sapo hyri në makinën e tij pasi doli nga një lokal.
Automjeti i autorëve ju afrua paralel makinës së viktimës dhe prej andej u qëllua disa herë me armë.
Pasi kryen ekzekutimin, autorët u larguan në drejtim të zonës së Xhamllikut, për të dalë më pas në Unazën e Madhe e më tej në Farkë, aty ku dogjën makinën së bashku me armën tip pistoletë me silenciator.
Deri tani, dy janë pistat e hetimit që ka ngritur policia, të cilat dyshohet se mund të jenë shkak për ngjarjen: një për shkak të detyrës së të babait të viktimës si ish-gjyqtar dhe tjetra për shkak të një konflikti që ai mund të ketë pasur me eksponentë të një organizate kriminale.
Babai i tij, ish-gjyqtari Fran Prendi, i larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, njihet për dënimin e grupeve të mëdha kriminale, përfshirë atë ndaj grupit të Emiljano Shullazit.
Ai ka gjykuar dhe Salvatore Lettizian, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.