Zbulohet fotoja e autorit kryesor të dyshuar për vrasjen e Jurgen Kurtit dy javë më parë në Tiranë. Bëhet fjalë për Klodian Banen, i cili dyshohet se është ekzekutori i menaxherit të VIP-ave poshtë banesës së tij me mbi 20 plumba.
Bane, 38 vjeç, nga Patosi është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij u zbulua nga njëri prej tre personave që u arrestuan si bashkëpunëtorë.
Pak ditë më parë, policia ka prangosur tre persona të tjerë si bashkëpunëtorë të Banes në kryerjen e vrasjes.
Në pranga përfunduan Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Patos, Fier; Olsi Qalliu, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Burime nga prokuroria, shprehen se 22-vjeçari Olsi Qalliaj, lindur në Fier dhe banues në Patos, ishte personi që përmendi për herë të parë emrin e Klodian Banes dhe që e ka orientuar policinë drejt dyshimeve të forta se është ai personi që ekzekutoi Jurgen Kurtin.

Katër ditë para ekzekutimit të Jurgen Kurtit, Qalliaj e takoi Klodian Banen dhe i mori çelësin për të fjetur në apartamentin e tij.
Të dyshuarve iu janë sekuestruar një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar pas kryerjes së vrasjes, një sasi e vogël lënde narkotike, 2470 Euro dhe lekë shqiptare, si dhe dy makina luksoze.
Deri tani, pista e vetme e vrasjes së Jurgen Kurtit është ajo e hakmarrjes dhe grupi hetimor dyshon se të rinjtë janë vrasës me pagesë, ndërkohë që porositësi ende nuk është zbuluar. Dyshimet janë që të rinjtë të jenë paguar 30 mijë euro për të bashkëpunuar në eliminimin e 26-vjeçarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




