Dosje

Vrasja e ish-ushtarakut në Vlorë, autorët helmuan qenin e komshiut dhe prenë dritat para krimit

Gazeta Si –Vrasja e ish-ushtarakut Altin Alikaj, i cili u gjet i ekzekutuar në banesën e tij në Vlorë një ditë më parë, vijon të mbetet ende një mister.

Policia ka shoqëruar deri tani mbi 10 persona në komisariat, mes tyre familjarë, miq dhe fqinj, të cilët mund të japin informacion të vlefshëm për zbulimin e autorëve.

47-vjeçari ka punuar si nënoficer në një repart ushtarak në Vlorë deri para disa vitesh dhe dyshohet se ishte një përdorues i lëndëve narkotike.

Megjithatë, ajo që dihet deri tani, është se vrasja e tij ka qenë e planifikuar, duke parë dhe dinamikën si ka ndodhur.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se në krim kanë qenë të paktën dy persona.

Fillimisht ata i janë afruar pranë banesës së Alikajt, ku i kanë dhënë ushqim të helmuar qenit të komshiut për të shmangur lehjet e tij dhe më pas kanë prerë edhe automatin e dritave.

Janë futur në oborr duke kaluar murin e banesës dhe duke përdorur forcë për hapjen e dyerve.

Ekspertiza ka dalë në përfundimin se 47-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt me armë zjarri të llojit pistoletë në shpatull nga krahu zemrës dhe ka të çara në pjesën e kafkës, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga goditja me sëpatë, e cila është gjetur në banesë me njolla gjaku. Autorët, para se ta vrisnin, dyshohet se e kanë lidhur viktimën.

Altin Alikaj, u shpall i zhdukur në datën 11 shkurt, teksa dyshime ka edhe për faktin se në afro 8 ditë që ka marrë denoncimin për zhdukjen, Policia e Vlorës nuk ka kontrolluar asnjëherë në banesën e tij.

Denoncimi është bërë në 11 shkurt nga familjarë të tij, por vrasja dyshohet të ketë ndodhur para kësaj date.

Para vrasjes, 47-vjeçari kishte qenë në Kosovë, teksa i kishin marrë edhe pasaportën, por ai kishte arritur të hynte në Shqipëri në mënyrë të paligjshme.

Pistat kryesore të hetimit ku po punon policia është prishja e pazareve të drogës si dhe borxhet që viktima mund t’i ketë pasur personave të tjerë, por nuk përjashtohet as fakti që 47-vjeçari të jetë vrarë edhe për ndonjë informacion që mund të ishte në dijeni.

Ndërkohë, fqinjët të pyetur nga policia shprehen se nuk kanë dëgjuar zhurma apo të kenë dyshuar se Alikaj është ekzekutuar me armë zjarri në banesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë