Lajme

Vrasja e ish-policit Arben Bilali, arrestohet një i dyshuar

Tre muaj pas vrasjes së bujshme të ish-policit Arben Bilalit në Selitë, Policia e Tiranës ka ndaluar një të dyshuar.
Policia bën me dije se i ndaluari është 47-vjeçari me iniciale A. Xh., i cili figuron me precedentë të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së makinave.
Ai dyshohet se i ka siguruar mjetin “Benz” autorëve të vrasjes, i cili u gjet vetëm pak minuta më vonë i braktisur në Mjull Bathore, që do të thotë se është takuar dhe i ka parë autorët.
50-vjeçari Arben Bilali u ekzekutua me armë zjarri pranë shtëpisë së tij, më 30 janar të këtij viti. Sapo zbriti nga një automjet tip “Volkswagen Golf” me targa të huaja dhe po ecte në drejtim të trotuarit, pranë banesës së tij, pas tij u afrua një automjet tip “Mercedes Benz” i zi dhe me targa të falsifikuara dhe e qëlloi me breshëri 14 herë.
Për grupin hetimor vrasja e Bilalit kishte lidhje me ngjarjet tronditëse në Tiranën e viteve ’90, ku janë shënuar disa atentate të përgjakshme mes disa familjeve. Vetë familja Bilali ka qenë në konflikt me atë Xhabafti, duke prodhuar disa viktima.
Arben Bilalit i kishin vrarë edhe dy vëllezër, njërin në vitin 1997 dhe tjetrin në vitin 2010.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë