Policia ka zbardhur vrasjen e ish-policit Arben Bilali, që u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë, më 30 janar të këtij viti. Policia ka arrestuar si të dyshuar për vrasjen e tij shtetasin Gjergj Cukali, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Ai është fundosur nga ADN e gjetur në automjetin e përdorur për vrasjen e ish-policit Arben Bilali.
Gjergj Cukali nuk është emër i panjohur për policinë e kryeqytetit, pasi rezulton i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrëmbim personi”.

Cukali njihet ndryshe edhe si i ‘forti’ i Myslim Shyrit, pas disa ngjarjeve të përsëritura në këtë zonë të kryeqytetit.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fatjon Demirlika në vitin 2004.
Banda ku bënte pjesë ai kishte djem të cilët banojnë në rrugën “Myslym Shyri”, Ilir Kodumi, Ledio Lito, Gjergj Cukali, Eduart Skukaj si dhe Florina Metalla.
Vrasja e ish-policit Arben Bilali
50-vjeçari Arben Bilali u ekzekutua me armë zjarri pranë shtëpisë së tij, më 30 janar të këtij viti. Sapo zbriti nga një automjet tip “Volksëagen Golf” me targa të huaja dhe po ecte në drejtim të trotuarit, pranë banesës së tij, pas tij u afrua një automjet tip “Mercedes Benz” i zi dhe me targa të falsifikuara dhe e qëlloi me breshëri 14 herë. Për shkak të plagëve të marra ish-efektivi i policisë nuk arriti të mbijetonte edhe pse ndihma mjekësore iu dha në kohë rekord.

Për grupin hetimor vrasja e Bilalit kishte lidhje me ngjarjet tronditëse në Tiranën e viteve ’90, ku janë shënuar disa atentate të përgjakshme mes disa familjeve. Vetë familja Bilali ka qenë në konflikt me atë Xhabafti, duke prodhuar disa viktima. Arben Bilalit i kishin vrarë edhe dy vëllezër, njërin në vitin 1997 dhe tjetrin në vitin 2010.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



